2 kriteret që një vepër e mirë të pranohet tek Zoti

Hafidh El Hakemi ka thënë:

Që një vepër e mirë tek Zoti të pranohet
Të jetë e sinqertë dhe në përputhje me Traditen Profetike kërkohet

Këto dy kritere të përmendura prej tij, janë që duhet t’i plotësojë muslimani, ndërsa për jomuslimanin, veprat e mira nuk pranohen derisa ai të plotësojë kriterin bazë të pranimit të veprave, besimin.

Besimi pra, është kriteri numër një për të qenë vepra e mirë e pranuar tek Zoti. Argumentet fetare që e bëjnë atë kriter të domosdoshëm për pranimin e veprave, janë të shumta. Këto argumente mund t’i ndajmë në dy kategori:
1. Në kategorinë e parë bëjnë pjesë ato argumente që tregojnë se besimi është kusht i domosdoshëm për arritjen e shpërbimit, si në këtë botë ashtu edhe në botën tjetër.
2. Ndërsa në kategorinë e dytë bëjnë pjesë ato argumente që tregojnë se idhujtarëve dhe mohuesve nuk u pranohen veprat, e kjo do të thotë se arsyeja se pse nuk u pranohen veprat është pikërisht mungesa e besimit.

Ndër argumentet që bëjnë pjesë në kategorinë e parë, pra që tregojnë se besimi është kriter i domosdoshëm për pranimin e veprave dhe arritjen e shpërbimit, është ajeti kuranor, në të cilin Allahu i Madhëruar thotë:

“Kush bën ndonjë vepër të mirë, qoftë mashkull ose femër, e duke qenë besimtarë, të tillët hyjnë në Xhennet dhe nuk u bëhet aspak padrejtësi.” (En Nisa: 124)
Shkëlqesia e tij, Es Seadi (Allahu e mëshiroftë!), në lidhje me fjalën e Zotit tonë “e duke qenë besimtarë”, thotë: “Besimi është kusht për pranimin e të gjitha veprave. Ato s’mund të konsiderohen vepra të mira, s’mund të jenë të pranueshme, s’mund të arrihet shpërblim prej tyre dhe as të largohet dënimi, veçse nëse ato i shoqëron besimi. Veprat e kryera në mungesë të besimit, janë si degët e një peme së cilës i janë prerë rrënjët, apo si një ndërtesë e cila është ngritur në rërën e detit. Besimi duhet të jetë baza dhe themeli i çdo vepre të mirë. Ky kriter është i domosdoshëm dhe i patjetërsueshëm për të qenë një vepër e pranuar tek Zoti.”
Ndërsa, ndër argumentet që bëjnë pjesë në kategorinë e dytë, janë të gjitha ajetet dhe hadithet që tregojnë se jobesimtarit nuk i pranohet asnjë vepër e mirë, për aq kohë sa ai vazhdon të jetë jobesimtarë, e që në kuptimin e anasjelltë, tregojnë se besimi është kriter i domosdoshëm për pranimin e tyre.
Ndër këto argumente është fjala e Allahut:

“E Ne i kthehemi veprave të tyre që i kanë bërë dhe i bëjmë ato hi e pluhur.” (El Furkan, 23)
Si dhe fjala e Tij:

“E veprat e atyre që nuk besuan janë si valët (nga rrezet e diellit) në një rrafshinë ku i etshmi mendon se është ujë derisa kur t’i afrohet atij nuk gjen asgjë, por aty e gjen Allahun dhe ai do t’ia japë llogarinë e tij.” (En Nur, 39)

Përveç këtyre dy ajeteve, ka edhe shumë argumente të tjera të cilat qartazi tregojnë që veprat e mira të jobesimtarit dhe adhurimet e tij, nuk i bëjnë dobi në botën tjetër.

You may also like...