14 veprime që ndalohen në namaz

Veprime që ndalohen në namaz

1-Luajtja me rrobën apo me trupin përveç në rast nevoje.

Transmetohet nga Muajkijb se “profeti -alejhi selam-  i tha një burri që sheshonte vendin aty ku bënte sexhde: Nëse e bën (bëje)vetëm një herë”[1].

2-Mbështjetja me dorë në bel në namaz.

Transmetohet nga Ebu Hurejra  nga profeti –alejhi selam- “se ai ka ndaluar të falet njeriu me duar në bel”[2].

3-Ngritja e shikimit në qiell.

Transmetohet nga Ebu Hurejra –radiallahu anhu- se profeti alejhi selam ka thënë: “Do të ndalen njerëzit nga ngritja e shikimin në qiell gjatë duasë në namaz ose do tu merret shikimi”[3]. Fjala e tij “do tu merret shikimi” tregon për ndalim, këtë thotë edhe shejhu ynë –Allahu e ruajtë-.

4-Kthimi pa nevojë

Transmetohet nga Aishja –radiallahu anha- se ka thënë: Kam pyetur profetin -alejhi selam-  për kthimin në namaz, ai tha: “Ai është rrëmbim, e rrëmben shejtani nga namazi i njeriut”[4].

5-Shikimi në gjëra që të tërheqin e të preokupojnë.

Transmetohet nga Aishja –radiallahu anha- se “profeti alejhi selam u fal me (khamisa)në një rrobë leshi me figura, ai  pa në figurat e saj dhe kur mbaroi tha: Çojeni këtë rrobën tek Ebu Xhehmi dhe më sillni (enbixhenijen)rrobën e Ebu Xhehmit sepse ajo më shpërqendroi nga namazi”[5].

6- Mbyllja e syve.

Këtë e bëjnë disa njerëz kur fallen, duke dashur të arrijnë frikën (përqëndrimin) në namaz dhe kjo nuk është e saktë. E kam pyetur për këtë shejhun tonë -Allahu e ruajtë- dhe ka thënë: Është e papëlqyeshme dhe në kundërshtim me synetin.

7-  Hedhja e rrobës mbi krahë (pa i futur duart) dhe mbulimi i gojës.

Transmetohet nga Ebu Hurejra -radiallahu anhu- se “profeti -alejhi selam- ka ndaluar nga hedhja e rrobës mbi krah në namaz dhe mbulimi i gojës”[6].

8- Të folurit në namaz.

Transmetohet nga Abdullah bin Mes’udi -radiallahu anhu- se ka thënë: “Jemi ndaluar të flasim në namaz me përjashtim  të Kuranit dhe dhikrit”[7].

9- Namazi në praninë e ushqimit dhe kur të mundon jashtëqitja

Transmetohet nga Aishja -radiallahu anha- se ka thënë: “Kam dëgjuar profetin -alejhi selam- duke thënë: Nuk ka namaz ai që falet në prani të ushqimit dhe as ai që mban jashtëqitjen (urina dhe nevoja e trashë)”[8].

Prej këtij hadithi përfitohet ndalimi; kështu thotë edhe shejhu ynë Allahu e ruajte të  cilin e kam pyetur: A mendoni se prej këtij hadithi përfitohet ndalim? Ai mu përgjigj: Po. Dhe më tha: kjo gjë është kur njeriu ka uri, përndryshe i jep përparësi namazit ndaj ushqimit. Ndërsa Ibën Hazmi mendon se namazi është i papranuar.

Transmetohet nga Ibën Umer -radiallahu anhuma- se profeti -alejhi selam- ka thënë: “Kur të vihet ushqimi i pasdites para ndonjërit prej jush dhe thirret për në namaz filloni me ushqimin dhe mos nxitoni derisa të mbaroni. Ibën Umeri kur i shtrohej ushqimi dhe thirrej për namaz nuk shkonte derisa të mbaronte edhe pse dëgjonte leximin e imamit”[9].

10- Namazi gjatë kotjes.

Transmetohet nga Aishja -radiallahu anha- se profeti -alejhi selam- ka thënë: “Kur të kotet ndonjëri prej jush në namaz, të flejë derisa ti largohet gjumi sepse nëse falet duke u kotur, ndoshta duke dashur të kërkojë falje shan veten e tij”[10].

Transmetohet nga Ebu Hurejra -radiallahu anhu- se profeti -alejhi selam- ka thënë: “Kur ndonjëri prej jush të ngrihet gjatë natës dhe i bllokohet Kurani në gjuhë duke mos ditur se ç’thotë, të shtrihet”[11].

11- E pështymja në anën e kibles apo nga ana e djathtë.

Kjo për shkak të fjalës së profetit -alejhi selam-: “Nëse dikush prej jush ngrihet për tu falur Allahu i madhëruar është i drejtuar nga ai, prandaj të mos pështyjë përpara vetes dhe as nga e djathta e tij”[12].

12- Hapja e gojës.

Kjo për shkak të hadithit të profetit -alejhi selam-: “Nëse dikujt i hapet goja në namaz, le ta mbulojë sa të mundet sepse hyn shejtani”[13].

13- Mbledhja e flokëve dhe përveshja e rrobave.

Kjo për shkak të fjalës së profetit -alejhi selam-: “Jam urdhëruar të bëj sexhde mbi shtatë gjymtyrë: balli – duke bërë me shenjë nga balli dhe hunda – , dy duart, dy gjunjët, majat e këmbëve, të mos mbledhë flokët dhe as të mos përveshë rrobat”[14].

14- Mbështetja në duar në namaz dhe thurja e gishtërinjve.

Transmetohet nga Ibën Umeri -radiallahu anhu- se “profeti -alejhi selam- ka ndaluar që burri të ulet në namaz duke u mbështetur në duar”[15].

Transmetohet nga Ismail bin Umeje se ka thënë: “Kam pyetur Nafiun për një burrë që falet duke ndërthurur gishtërinjtë dhe ai më tha se Ibën Umeri ka thënë: Ky është zakoni i atyre me të cilët është zemëruar Allahu”[16].

Transmetohet nga Ibën Umeri -radiallahu anhu- “se ka parë një burrë duke u mbështetur në dorën e tij të majtë ndërkohë që ishte i ulur në namaz (Harun bin Zejdi thotë: I mënjanuar nga ana e tij e majtë) dhe ai i tha atij: Mos u ul kështu sepse kështu ulen ata të cilët do të dënohet”[17].

Enciklopedia e thjeshtuar e fikhut

Autor Husejn el Auajsha (Allahu e ruajtë)

Përktheu Teuta Xeka

[1]E transmeton Buhariu dhe Muslimi. Na kaloi në veprime tjera të lejuara në namaz.

[2]E transmeton Buhariu dhe Muslimi.

[3]E transmeton Muslimi.

[4]Transmeton Buhariu.

[5]E transmeton Buhariu dhe Muslimi.

[6] E transmeton Ebu Daudi dhe e sakt;son shejh Albani.

[7]E transmeton Tabarani dhe e saktëson shjeh Albani.

[8]E trasnsmeton Muslimi.

[9]E transmeton Buhariu dhe Muslimi.

[10]E transmeton Buhariu dhe Muslimi.

[11]E transmeton Muslimi.

[12]E transmeton Muslimi.

[13]E transmeton Muslimi.

[14]E transmeton Buhariu dhe Muslimi.

[15] E transmeton Ebu Daudi, Hakimi dhe e sakt;son shejh Albani.

[16]E transmeton Ebu Daudi dhe e saktëson shejh Albani.

[17] E transmeton Ahmedi, Ebu Daudi, Bejhakiu dhe e saktëson shejh Albani.

You may also like...