Vlera dhe shperblimi per namazet nafile (jovullnetare)

Për mirësinë dhe vlerën e këtyre namazeve kanë ardhur hadithe të shumta, ndër të cilat:
Përcillet nga Ebu Hurejre (radijallahu anhu), se Profeti (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “E para gjë për të cilën do të llogariten njerëzit në Ditën e Gjykimit nga punët e tyre është namazi. Zoti ynë u thotë engjëjve – dhe Ai është i ditur për çdo gjë: ‘Shikoni në namazin e robit tim, a e ka plotësuar atë apo e ka lënë mangët?’ Nëse është i plotë, i shkruhet atij i plotë dhe nëse ka lënë mangët ndonjë, thotë: ‘Shikoni a ka robi im nafile?’ Nëse ka nafile, thotë: ‘Plotësojani
robit tim farzin, duke marrë nga nafilet e tij!’, e pastaj llogaritet për veprat e tij.”
Ahmedi, Ebu Daudi, Nesaiu, Tirmidhiu, Ibn Maxhe dhe hadithi është i saktë.

Hadithi tregon një nga urtësitë e ligjshmërisë së namazeve nafile.

Nga Rabia bin Keab bin Malik el Eslemiju përcillet: “Flija te Profeti (salallahu alejhi ue selem) dhe kur i solla atij çka i nevojitej me ujin për abdes, më tha: ‘Kërko!’ . Thashë: ‘Kërkoj shoqërimin tënd në Xhenet.’ ‘A do edhe ndonjë gjë tjetër?’ – më tha. ‘Këtë dua,’ – i thashë. Tha:
‘Ndihmoje veten tënde me sexhde të shumta.’’
Muslimi, Ebu Daudi, Tirmidhiu, Nesaiu dhe Ibn Maxhe
Qëllimi me sexhde të shumta është për namazet nafile, sepse vetë sexhdja jashtë namazit apo pa ndonjë qëllim, nuk është pjesë e adhurimeve të dëshiruara. Falja e farzeve është obligim për çdo musliman, por Profeti (salallahu alejhi ue selem) e porositi Rabian për sexhde të shumta (përveç namazeve farz), që të arrinte atë që kërkoi. Dikush mund të pyesë se përse Profeti (salallahu alejhi ue selem) e quajti rekatin sexhde. Ai e bëri këtë, sepse sexhdja është ajo pjesë e namazit, ku më së tepërmi shfaqet nënshtrimi ndaj Allahut të Madhëruar me dashuri të plotë për Të dhe çdokush që e përul veten e tij për Allahun e Madhëruar, e meriton mëshirën. Profeti (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “Robi është më afër me Zotin e tij, kur është në sexhde, prandaj shtojeni duanë në të.” Muslimi

Nga Madan bin ebi Talha el Jeameriju përcillet: “Takova Theubanin, robin e Profetit (sallahu alejhi ue selem) dhe i thashë: ‘Më trego një punë, që nëse e veproj, më fut Allahu në Xhenet (apo ka thënë: …për punët më të dashura tek Allahu…).’ Ai heshti, pastaj e pyeta përsëri
dhe ai prapë heshti, pastaj e pyeta atë për herë të tretë dhe tha: ‘E kam pyetur Profetin (salallahu alejhi ue selem) për këtë dhe më ka thënë: ‘Shtoji sexhdet për Allahun, sepse kur ti bën ndonjë sexhde për Allahun, Allahu të ngre me të një gradë dhe të largon me të një të keqe.’” Madani vazhdon: “Pastaj takova Ebu Derdan, e pyeta edhe atë dhe më tha të njëjtën gjë. Muslimi, Nesaiu, Ibn Maxhe, Tirmidhiu dhe hadithi është i saktë.
Të dyja këto hadithe tregojnë për mirësinë e nafileve të shumta.

You may also like...