Si të marrësh abdes në formën më të mirë

Kujdesi në marrjen e abdesit

Transmetohet nga Enesi radijAllahu anhu se ka thënë: Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem pa një person në këmbën e të cilit kishte mbetur një pjesë sa thoi pa e lagur uji dhe i tha tij: “Kthehu dhe merr abdes në formën më të mirë (ku uji të depërtojë në çdo gjymtyrë të abdesit).” Hadith autentik.

E ka nxjerr Ebu Daudi (173), Ibën Maxhe (665). Autori (Allahu e mëshiroftë!) thotë: E ka nxjerr dhe Nesaiu, por unë nuk e kam gjetur këtë hadith tek ai.

Them: E ka nxjerr Muslimi (243) prej hadithit të Umer bin el-Hatabit radijAllahu anhu.

Shejh Salih el-Feuzani (Allahu e ruajttë!): “Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem pa një person në këmbën e të cilit kishte mbetur një pjesë sa thoi pa e lagur uji” d.m.th. e kishte përfunduar abdesin.

Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem i tha atij: “Kthehu dhe merr abdes në formën më të mirë”, pra ai alejhis-selam e urrejti veprimin personit duke i sqaruar atij se abdesi i tij nuk është i plotë dhe ka për detyrë të kthehet e të marr abdes nga e para. Ngase ai sal-lAllahu alejhi ue sel-lem i tha atij: “merr abdes në formën më të mirë” dhe nuk i tha “la vetëm këtë pjesë (që ka mbetur pa lagur).”

Hadithi tregon për disa çështje:

E para: Obligueshmëria e perfeksionimit të abdesit (marrjes në formën e duhur) në të gjitha gjymtyrët. Në mënyrë që mos të mbesë asnjë gjymtyrë pa e prekur (lagur) uji. Nëse mbet diçka prej tyre (gjymtyrëve) pa e prekur uji, abdesi nuk konsiderohet i plotë (saktë).

E dyta: Hadithi tregon se abdesi duhet përsëritur i plotë dhe nuk mjafton vetëm larja e pjesës që s’e ka prekur uji. Ngase Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem e urdhëroi personin të marr abdes në formën më të mirë dhe nuk i tha atij: ‘kthehu dhe la vetëm këtë pjesë (që nuk e ka prekur uji).” Kjo tregon për pavlefshmërinë e abdesit nëse lihet diçka prej gjymtyrëve pa larë. Edhe nëse kjo pjesë është e pakët (vogël).

E treta: Në hadith ka argument për obligueshmërinë e vazhdimsisë në larjen e gjymtyrëve gjatë abdesit.

E katërta: Në hadith ka argument për urrejtjen e të keqes dhe mësimin e të paditurit. Ngase Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem e urrejti veprimin e personit dhe e mësoi atë. Urrejti mosmarrjen abdes në formën e duhur dhe pastaj e mësoi atë se si duhet të veprojë duke i thënë: “Kthehu dhe merr abdes në formën më të mirë (ku uji të depërtojë në çdo gjymtyrë të abdesit).”

E pesta: Në hadith ka argument se padituria dhe harresa nuk e zhvlerësojnë obligimin (vaxhibin), por vetëm mëkatin (personi nuk ngarkohet me mëkat për shkak të paditurisë dhe harresës). Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem nuk e liroi nga obligimi personin që nuk kishte marr abdes në formën e duhur për shkak të mosdijes së tij. Por e urdhëroi atë që të marrë në formën e duhur. Pra, ta përsërisë abdesin, siç ka ardhur në një transmetim tjetër të hadithit.

 

Shkëputur me disa shkurtime nga “Tes’hilul ilmam bifik’hil ehadith min bulug el-meram” vëll. 1

 

Përktheu: Unejs Sheme

 

 

 

You may also like...