Në këtë lutje profetike janë përmbledhur të gjitha mirësitë

Nga Ebu el Ahvas e ky nga Abdullahu transmetohet se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) i lutej Allahut duke thënë:

“O Allahu im, unë kërkoj prej teje udhëzimin, devotshmërinë, vetëpërmbajtjen dhe pasurinë!”

E transmeton Muslimi 2721

Es Seadi (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: “Në këtë lutje profetike janë përmbledhur të gjitha mirësitë. Udhëzimi është dituria e dobishme, ndërsa devotshmëria përfshin punët e mira dhe largimin nga të ndaluarat. Vetëm në këtë mënyrë plotësohet feja e njeriut, shtoji kësaj edhe pastërtinë e zemrës dhe qetësinë e saj e cila arrihet me dëlirësi dhe vetëkënaqësi, pa synuar atë që kanë njerëzit.

Njeriu duhet të jetë i pasur me Zotin e tij, pasi ai i cili mjaftohet me Allahun, kurrë s’ka për të qenë i varfër. Madje ai është i pasuri i vërtetë, edhe nëse të ardhurat e tij janë të pakta, pasi pasuria nuk është malli dhe paraja, por pasuria e vërtetë është lumturia e zemrës. Me vetëpërmbajtje dhe vetëkënaqësi njeriu arrin të jetojë një jetë të lumtur, i qetë në jetën e kësaj bote dhe i kënaqur me atë që i ka dhënë Allahu.”

“Behxhetu kulubi el ebrar ue kurratu ujuni el ehjar” f. 105

Perktheu Edmond Ajdini

You may also like...