Muslimani është ai që kanë shpëtuar muslimanët prej gjuhës dhe dorës së tij

Cilësitë e muslimanit

Nga Abdullah ibn Amr – Allahu qoftë i kënaqur prej tij – transmetohet se ka thënë: “Ka thënë i Dërguari i Allahut – paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të: Musliman është ai që kanë shpëtuar muslimanët prej gjuhës dhe dorës së tij, dhe emigrues (muhaxhir) është ai që emigron (ikën prej) asaj që ka ndaluar Allahu” Muttefekun alejhi[1].

Ka shtuar Tirmidhiu dhe Nesaiu: “Dhe besimtar (mu’min) është ai prej të cilit ndihen të sigurtë njerëzit në gjaqet dhe pasuritë e tyre.”[2]

Janë përmendur në këto hadithe plotësia (kulmi) i këtyre emërtimeve të ndershme dhe fisnike, me të cilat Allahu i Madhëruar e lidhi lumturinë e dynjasë dhe akhiretit dhe ato emërtime janë: “Islami”, “Imani” (besimi), “Hixhreti” dhe lufta në rrugë të Allahut, dhe përmendi kufijtë e tyre me fjalë përmbledhëse, gjithpërfshirëse duke thënë: Muslimani është ai që kanë shpëtuar muslimanët prej gjuhës dhe dorës së tij. Kjo sepse Islami i vërtetë është: dorëzim ndaj Allahut dhe plotësimi i robërimit ndaj Tij dhe kryerja e detyrimeve kundrejt Tij dhe kryerja e detyrimeve kundrejt muslimanëve.

Dhe nuk plotësohet islami i (feja e) dikujt derisa të dojë për muslimanët atë që do për veten e tij, dhe kjo nuk mund të realizohet veçse duke shpëtuar ata prej të keqes së gjuhës së tij dhe të keqes së dorës së tij. Sepse kjo është shtylla e këtij detyrimi që ai ka kundrejt muslimanëve. Kështu ai që nuk kanë shpëtuar muslimanët prej gjuhës dhe dorës së tij, si mund të jetë zbatues i detyrimit që ka ai kundrejt muslimanëve?! Prandaj shpëtimi i tyre prej sherrit të tij, – me fjalë dhe me vepra – është tregues i plotësimit të islamit të tij.

Dhe e shpjegoi besimtarin duke thënë se është ai që ndihen të sigurtë njerëzit në gjaqet dhe pasuritë e tyre. Sepse kur imani (besimi) rrënjoset në zemër dhe ajo mbushet me të, e bën të domosdoshëm zbatimin e detyrimeve të tij (detyrimeve të imanit), më e rëndësishmja prej të cilave është: ruajtja e amaneteve, sinqeriteti në marrëdhënie, dhe largimi nga të bërit padrejtësi njerëzve në gjaqet dhe pasuritë e tyre. Dhe ai që është i tillë njihet në mesin e njerëzve për këto cilësi dhe ata ndihen të qetë prej tij në gjaqet dhe pasuritë e tyre (e dijnë se ai nuk dëmton njeri qoftë fizikisht, qoftë në pasuri) dhe kanë besim tek ai për shkak të asaj që dinë për të, se i ruan amanetet (gjërat që njerëzit vendosin tek ai në ruajtje).

Nuk ka besim (iman) ai që s’ka amanet

Sepse ruajta e amanetit është prej detyrimeve më të veçanta të imanit, siç thotë Profeti – paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të: “Nuk ka besim (iman) ai që s’ka amanet”[4] (që nuk është i besës, nuk e ruan amanetin që i besohet).

Dhe e shpjegoi Profeti – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të –  hixhretin (shpërnguljen, emigrimin) – i cili është detyrim personal (fard ajn) për çdo musliman – duke thënë se: ajo është largimi nga gjynahet dhe fajet e dënueshme. Dhe ky detyrim nuk bie (nuk largohet) kurrë prej çdo të përgjegjshmi, në asnjë lloj situate. Sepse Allahu ua ndaloi robërve të Tij veprimin e të ndaluarave (harameve) dhe ecjen drejt gjynaheve. Ndërsa hixhreti i veçantë  që është zhvendosja nga vendi i kufrit (mosbesimit), apo vendi i bidateve (shpikjeve në fe) për në vendin Islam dhe ku zbatohet suneti, është një pjesë e këtij hixhreti dhe nuk është detyrë për çdonjërin, por është detyrë nëse ekzistojnë shkaqet e saj të njohura

Kush zbaton atë për të cilën tregon ky hadith (bashkë me shtesat e tij) ka zbatuar krejt fenë: Ai që shpëtojnë muslimanët prej gjuhës dhe dorës së tij, prej të cilit ndihen të sigurtë njerëzit në gjaqet dhe pasuritë e tyre dhe largohet nga ajo që ka ndaluar Allahu dhe e lufton veten e tij në bindje ndaj Allahut – të Lartësuar e pa të meta -, i këtilli nuk ku ka lënë mirësi të dynjasë dhe të akhiretit, të dukshme apo të fshehtë veçse e ka bërë atë dhe as ndonjë të keqe veçse është larguar prej saj. Dhe vetëm Allahu është Ai që jep sukses.

Behxhetu kulubil Ebrar

Autor: Dijetari i madh Abdurrahman ibn Nasir es-Sa’dij.

Përktheu Emin Bilali

[1] Bukhari (53), Muslimi (40) dhe shprehja është e Bukharit.

[2] Tirmidhi (2629), Nesai (105,104/8), Ahmedi (2/379) Ibn Hibban i (1/406), (180) dhe ka thënë Tirmidhiu: Ky është hadith hasen sahih ( i mirë i saktë)

[3] Ahmedi (6/22), Bejhekiu në “Shuabul iman” (7/499) dhe të tjerë. Shiko “Vargun e haditheve të sakta” (549)  të al-lameh (dijetarit të madh) Albanit – Allahu e mëshiroftë dhe gjithë të përmendurit!

[4] Transmeton Ahmedi (3/135, 154, 210, 251); Ibn Hibbani (1/422) dhe të tjerë, dhe e ka saktësuar shejkh Albani në “Sahih el xhami’” (7179) dhe në vende të tjera.

You may also like...