Më trego çfarë është Islami?

Gjithashtu Umeri (RadijAllahu anhu) transmeton:
“Një ditë kur ishim ulur tek i Dërguari i Allahut (SalAllahu alejhi ue selem), papritur u shfaq një njeri me rroba shumë të bardha dhe flokë shumë të zinj. Në pamjen e tij nuk dukeshin shenja udhëtari dhe askush nga ne nuk e njihte.
Ai u ul pranë Profetit (SalAllahu alejhi ue selem), afroi gjunjët e tij me të Profetit, vendosi duart mbi gjunjët e tij dhe filloi ta pyeste:
“O Muhamed! Më trego çfarë është Islami?” Profeti (SalAllahu alejhi ue selem) u përgjigj:
“Islami është të dëshmosh se nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut dhe se Muhamedi është i Dërguari i Tij, të falësh namazin, të japësh Zekatin, të agjërosh muajin e Ramazanit dhe të vizitosh shtëpinë e shenjtë (Kaben), nëse ke mundësi”.
Njeriu i huaj tha: “Të vërtetën the!” Umeri (RadijAllahu anhu) tha: “Ne mbetëm të habitur nga mënyra se si ai pyeste dhe vetë i miratonte fjalët e Profetit (SalAllahu alejhi ue selem).” Më pas vazhdoi:
“Më trego çfarë është imani (besimi)?” Profeti (SalAllahu alejhi ue selem) tha: “Të besosh Allahun, engjëjt e Tij, librat që Ai zbriti, profetët e dërguar, Ditën e fundit dhe të besosh Kaderin, qoftë i mirë apo i keq.” Njeriu i huaj përsëri tha: “Të vërtetën ke thënë!” Pastaj pyeti: “Më trego çfarë është ihsani?” Profeti (SalAllahu alejhi ue selem) tha: “Ihsani është ta adhurosh Allahun sikur ti e sheh Atë sepse edhe pse ti nuk e sheh, Ai me të vërtetë të shikon ty.”
Njeriu i huaj tha: “Më trego kur do të ndodhë Dita e Gjykimit?” Profeti (SalAllahu alejhi ue selem) iu përgjigj: “I pyeturi nuk ka njohuri më shumë nga ai që pyet.” Tha: “Atëherë më trego për shenjat që lajmërojnë afrimin e saj.” Profeti (SalAllahu alejhi ue selem) tha: “Do të ndodhë atëherë kur robëresha të lindë zotërinë e saj, dhe kur të shikosh barinjtë e varfër, të zbathur e të leckosur, të cilët ndërtojnë ndërtesa të larta.” Umeri (RadijAllahu anhu) vazhdoi të tregonte: “Më pas, ky njeri u largua dhe pas një kohe të gjatë, Profeti (SalAllahu alejhi ue selem) më tha: “A e di kush ishte ai që pyeste o Umer?” Iu përgjigja: “Allahu dhe i Dërguari i Tij e njohin më mirë.” Atëherë Profeti (SalAllahu alejhi ue selem) më tha: “Ai ishte Xhibrili, erdhi t’ju mësojë fenë tuaj.”
Transmeton Muslimi.

You may also like...