Lutjet që bënte Profeti alejhi selam kur binte shi

Prej mirësive që Allahu u ka mundësuar robërve të Tij, është edhe mirësia e rënies së shiut.

Allahu i Madhëruar e ka cilësuar atë (shiun) si ujë të pastër (pastrues) duke thënë: “Dhe lëshuam prej qiellit ujë të pastër.” [Furkan 48].

Ashtu sikurse e ka cilësuar edhe si ujë të begatë, duke thënë: “Ne lëshojmë nga qielli ujë të bekuar dhe nëpërmjet tij krijojmë kopshte, drithëra që korren.” [Kaf 9].

I Dërguari i Allahut (alejhi salatu ues selam) në momentin kur binte shi, i praktikonte disa sunete (tradita) në të shprehur dhe në veprime.

Nga sunetet që praktikonte në të shprehur, ishte dhe fjala (lutja) e tij (alejhi salatu ues selam): “O Zoti ynë! Bëje këtë shi të dobishëm.” [Buhariu].

Gjithashtu thoshte: “Këto reshje (shiu) ranë me mirësinë e Allahut dhe mëshirën e Tij.” [Buhariu dhe Muslimi].

Në ato momente, njeriu mund të lutet për çfarë të dojë.

I Dërguari i Allahut (alejhi salatu ues selam) ka thënë: “Dy lutje nuk kthehen mbrapsht, lutja gjatë ezanit dhe lutja kur bie shi.” [E përcjell Hakimi dhe e ka satësuar Albani].

Gjithashtu i Dërguari i Allahut (alejhi salatu ues selam) kur frikësohej nga dëmi i shiut lutej duke thënë: “O Zot! Zbrite atë (shiun) përreth nesh dhe jo mbi ne.”

Në sunetin praktik (kur binte shiu) i Dërguari i Allahut zbulonte një pjesë të trupit që të lagej nga shiu dhe thoshte: “(E bëj këtë) Sepse sapo është krijuar nga Zoti i tij.” [Muslimi].

Përktheu Fatjon Isufi

You may also like...