Kush i ka keto cilesi Allahu e urren ate

“Ibn Hibbani thotë në “Sahihun” e tij:

‘Tema: Qortimi i diturisë rreth çështjeve të kësaj bote dhe zhytja në to, dhe i injorancës rreth çështjeve që lidhen me Botën Tjetër, dhe largimit prej shkaqeve të saj’

Profeti – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – ka thënë: “Me të vërtetë Allahu e urren çdo hamës të madh që mburret shumë, që bërtet nëpër tregje, kufomë gjatë natës, gomar gjatë ditës, dijetar në çështjet e kësaj bote, injorant në çështjet e botës tjetër”

Ky përshkrim profetik i mrekullueshëm, i cili është ngritur në shkallën më të lartë të elokuencës dhe oratorisë, na shfaq një lloj njerëzish – i kërkoj falje Allahut – madje kafshësh, të cilët i ndesh çdo ditë te shumë nga ata që ke përreth, të cilët i atribuohen Islamit. Madje i gjen ata me shumicë edhe në mesin e të mëdhenjve të ummetit islam, kam për qëllim madhështi dynjaje jo fetare. Madje mund t’i gjesh nga ata që e emërtojnë veten me titullin: ‘dijetar’, duke e zhvendosur termin ‘dituri’ nga kuptimi i tij i vërtetë islam, kuptim i njohur në Kuran dhe Sunet, për tek dituritë e kësaj bote, profesionet, teknologjitë, apo njohuritë rreth ekonomisë. Pastaj, të mbushur me vetmashtrim, dëshirojnë të gjykojnë dhe të flasin në çështjet e fesë me diturinë e tyre, e cila nuk është gjë tjetër veç injorancë e plotë! Dhe pretendojnë madje se ata e njohin Islamin më mirë se njerëzit e fesë! Të mirën fetare e konsiderojnë të keqe, dhe të keqen – prej këndvështrimit fetar – e konsiderojnë të mirë. Dhe i kundërshtojnë me të madhe ata që i nxisin ata, apo që e nxisin ummetin për mësimin e fesë, ashtu siç di të kundërshtojë fodulli arrogant.
Medito rreth këtij hadithi dhe thellohu në të, do t’i shikosh ata përpara teje, në çdo vend!”

Përmbledhtas nga: “Xhemheretu mekalat” 2/ 572 të dijetarit të madh, fekihut, muhaddithit të Egjiptit, Ahmed Muhammed Shakir, Allahu e mëshiroftë.

Sh.p.: Fjalët që kanë ardhur në hadith janë: ‘Xha’dharij’, ‘xheuuadh’.
Për të parën kanë thënë: Mendjemadhi, ai që nuk i pranon këshillat, arroganti, me natyrë të ashpër,
apo ai që mburret me diçka që nuk e posedon.
Ndërsa kuptimi i të dytës: është ai që ha dhe pi shumë, dhe është mohues i madh, dhe që ecën me
prepotencë. Që bërtet nëpër tregje, dhe zihet e çirret me të madhe.
Morali i tij është i keq dhe fjalët e tij janë të shëmtuara.
Kanë thënë po ashtu se bëhet fjalë për njeriun që grumbullon pasuri prej haramit dhe nuk e
shpenzon aty ku e ka detyrë.

Shejkh Seid el Kumli thotë: “Hadithi që transmeton Ibn Hibbani është hadith i rrezikshëm. Njeriu duhet të përpiqet me sa mundësi ka që të dalë prej tij dhe të mos e përfshijë ai hadith. Në të Profeti – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – ka përmendur dy cilësi: “Dijetar për çështjet e kësaj bote, injorant për çështjet e Botës Tjetër.” Filani është doktor në Matematikë, doktor në inxhinieri, biznesmen i madh…. por nëse gabon në namaz nuk di si ta rregullojë atë! Ndoshta nuk di si të marrë gusl prej xhunubllëkut.
‘Gomar ditën, kufomë natën’. Lartë e poshtë, shkon andej hyn këtej, bëj atë bëj këtë. Kur vjen nata top gjumë, nuk lëviz nga vendi.
Prandaj duhet që njeriu të mësojë prej fesë së tij aq sa i duhet për të kryer adhurimet që i ka detyrë”

Video në youtube me titull: “Hadithun khatir: Himarun bin nehar, xhifetun bil lejl”

Ndërsa fjala e tij: ‘Kufomë gjatë natës’ aludon për gjumin e shumtë dhe dembelinë dhe mos-ngritjen e tij për tu falur natën.
Ndërsa për fjalën: ‘gomar gjatë ditës’ kanë thënë: Budalla, me kuptim të pakët, i zhytur në punët e dynjasë, dhe as nuk do tja dijë për adhurimet, dhe kur vjen nata hidhet në krevat dhe ashtu qëndron si kufomë deri në mëngjes. E megjithatë ai i njeh mirë çështjet e jetës së tij në këtë botë, por në çështjet e fesë është injorant, nuk u përkushtohet atyre dhe nuk pyet për to.

Ky hadith vjen për tja tërhequr vëmendjen muslimanit të mos jetë kështu, dhe të largohet nga këto cilësi të urryera duke vepruar të kundërtat e tyre, dhe duke u zbukurar me cilësitë e bukura të Islamit. Në mënyrë që të mos e përfshijë fjala e Allahut të Lartësuar: “Ata dinë vetëm pamjen e dukshme të jetës së kësaj bote, ndërsa ndaj botës tjetër ata janë të pavëmendshëm” (Rum: 7).

You may also like...