Kurimi i cytjeve (vesveseve) të shejtanit në besim

Nga Ebu Hurejra -Allahu qoftë i kënaqur prej tij- transmetohet se ka thënë: “Ka thënë i Dërguari i Allahut – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të: I vjen shejtani ndonjërit prej jush dhe i thotë: “Kush e krijoi këtë? Kush e krijoi këtë?” derisa i thotë: “Kush e krijoi Allahun?”, nëse arrin këtu, le t’i kërkojë mbrojtje Allahut prej shejtanit të mallkuar dhe le t’i japë fund.[1] Ndërsa në një transmetim: “Le të thotë: “Besova në Allahun dhe të Dërguarit e Tij”“ Muttefekun alejhi.[2] Ndërsa në një shprehje tjetër: “Vazhdojnë njerëzit të pyesin veten derisa thonë: “Kush e krijoi Allahun?”[3]

Ky hadith tregon se patjetër shejtani do ta hedhë këtë dyshim të kotë: ose si cytje (vesves) të fortifikuar, ose me gojën e shejtanëve prej njerëzve dhe ateistëve prej tyre. Dhe ndodhi ashtu siç paralajmëroi, të dyja ato gjëra kanë ndodhur. Vazhdon shejtani të hedhë në zemrat e atyre që nuk kanë urtësi, këtë pyetje të kotë dhe vazhdojnë ateistët ta hedhin këtë dyshim, i cili është nga më të kotët dhe flasin për prejardhjen e botës me fjalë idjote dhe fjalë boshe.

Na ka udhëzuar Profeti – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – në këtë hadith madhështor, se si ta hedhim poshtë këtë pyetje me tre hapa.

I pari: duke i dhënë fund (duke hequr dorë prej kësaj).

I dyti: duke kërkuar mbrojtjen e Allahut prej shejtanit të mallkuar.

Dhe i treti: me besim.

Për sa i përket dhënies fund themi: Me të vërtetë Allahu i Lartësuar u ka vendosur kufi mendimeve dhe logjikës, një kufi tek i cili të gjitha përfundojnë dhe nuk shkojnë dot më tej dhe është e pamundur kapërcimi i tij edhe nëse përpiqen pambarim. Dhe përpjekja për të pamundurën është diçka e kotë dhe mendjelehtësi. Dhe prej pamundësive më të pamundshme është vazhdimi pambarim në zinxhirin e shkak-pasojave, sepse krijesat kanë një fillim dhe një mbarim dhe t’i mund të ecësh pas këtij zinxhiri derisa të arrish tek Allahu i Cili i gjendi këto krijesa dhe ua caktoi atyre cilësitë, lëndën dhe përbërësit e tyre. “Dhe tek Zoti yt është fundi (përfundimi)” (Nexhm:42)

Dhe kur mendjet mbërrijnë tek Allahu i Lartësuar ndalen dhe qëndrojnë, sepse Ai është i Pari para të Cilit nuk kishte gjë dhe i Fundit pas të Cilit nuk mbetet gjë. Fillimi i Tij nuk ka një fillues. Ai është krijuesi i kohës, i gjendjeve dhe i mendjeve, të cilat janë disa nga fuqitë e njeriut. E si përpiqet atëherë mendja të sjellë një pyetje të tillë të kotë?! Prandaj qëllimi i saj i pashmangshëm në këtë rast duhet të jetë: të ndalet dhe t’i japë fund.

Gjëja e dytë që duhet bërë në këto raste është: të kërkojë mbrojtjen e Allahut nga shejtani i mallkuar, sepse kjo është vepër e tij, dhe pëshpëritje e pistë prej pëshpëritjeve që ai hedh në zemrën e njeriut, që ta bëjë atë dyshues në besimin e tij për Zotin. Prandaj nëse robi e gjen këtë në vetvete le t’i kërkojë mbrojtje Allahut prej dëmit të shejtanit të mallkuar! E ai që kërkon mbrojtjen e Allahut me sinqeritet dhe me gjithë fuqinë e zemrës, Allahu do ta ruajë atë dhe do ta largojë shejtanin prej tij dhe kështu do të shkatërrohet cytja e tij e kotë.

Gjëja e tretë është: që ta dëbojë (këtë mendim) me atë që i kundërvihet atij prej besimit në Allahun dhe të Dërguarit e Tij, sepse Allahu dhe të Dërguarit e Tij kanë njoftuar se Ai është i Pari para të Cilit nuk ekzistonte asgjë dhe se Ai – i Larti – është veçuar me njëshmërinë e Tij (me faktin se Ai është Një, unik, pa të ngjashëm në asnjë pikëpamje), me krijimin dhe gjendjen e (sjelljen në ekzistencë të) të gjitha gjërave të kaluarat dhe të ardhshmet.

Ky besim i saktë, i sinqertë dhe i palëkundur i dëbon të gjitha ato që e kundërshtojnë atë prej dyshimeve që hyjnë në të (dhe duan ta shuajnë), sepse e vërteta e largon të kotën dhe dyshimet nuk e rrëzojnë dot bindjen (sigurinë).

Kështu këto tri gjëra që i përmendi Profeti – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – i largojnë këto dyshime që vazhdojnë të përsëriten nga gojët e ateistëve, të cilat ata i hedhin me shprehje të ndryshme. Ai – paqja qoftë mbi të – urdhëroi që tu jepet fund mendimeve të këtilla të kota, vetëm kështu ndërpritet zinxhiri i pafund dhe i kotë shkak-pasojë, pastaj udhëzoi në kërkimin e mbrojtjes së Allahut nga shejtani i mallkuar, i cili është burimi i këtyre dyshimeve dhe porositi me besim të shëndoshë i cili i dëbon të gjitha ato gjëra të kota që e kundërshtojnë atë.

Dhe falenderimi i takon Allahut. Me dhënien fund mendimeve të kota e preu të keqen menjëherë, me kërkimin e mbrojtjes së Allahut prej shejtanit, ndërpreu shkakun e së keqes dhe me besim të shëndoshë dhe të sigurtë strehoi dhe mbrojti nga çdo gjë që e kundërshton atë.

Këto tri gjëra, janë përmbledhja e të gjitha shkaqeve që dëbojnë të gjitha dyshimet që i kundërvihen besimit. Për këtë arsye u duhet kushtuar vëmendje atyre në çdo gjë që bie ndesh me besimin, qofshin ato dyshime apo pështjellime.

Duhet t’i largojë ato muslimani menjëherë me argumente që i hedhin poshtë ato dhe që vërtetojnë të vërtetën pas së cilës nuk ka veçse humbje të qartë. Dhe duke kërkuar mbrojtjen e Allahut prej shejtanit i cili hedh në zemra sprovat e dyshimeve dhe sprovat e epsheve, që ta lëkundë besimin e tyre duke i shtyrë ata (njerëzit) në gjynahe të ndryshme.[4] Me durim dhe bindje/siguri (jekin) njeriu arrin të shpëtojë prej sprovës së epsheve dhe sprovës së dyshimeve. [“Dhe bëmë prej tyre imamllarë (udhëheqës) që udhëzonin me lejen Tonë, pasi duruan dhe ishin të bindur në argumentet Tona”] Dhe Allahu është Ai që jep sukses dhe që mbron!

Behxhetu Kulubil Ebrar

Autor: Dijetari i madh Abdurrahman ibn Nasir es-Sa’dij.

Përktheu Emin Bilali

[1] Transmeton Bukhari/kapitulli: “Fillimi i krijimit”/tema: “Cilësia e Iblisit dhe ushtrisë së tij”/hadithi nr (3276). Dhe Muslimi/kapitulli i imanit/tema: “Sqarimi i cytjeve në besim”/hadithi (134).

[2] Kjo shprehje është tek Muslimi/kapitulli i imanit/hadithi (134)

[3] Po aty.

[4] Sh.p.: Dhe të mendosh që ai vet, shejtani, ka qenë dikur adhurues i Atij për të cilin hedh dyshime!

You may also like...