Histori të bukura të treguara nga Profeti -alejhi selam-.

Histori të bukura të treguara nga Profeti -alejhi selam-.

Historia e dytë.

Transmetohet nga Ebu Hurejra -radiallahu anhu- se profeti -alejhi selam- na ka treguar: “Një burrë nga beni israilët i kërkoi borxh një burri tjetër po nga beni israilët, një mijë dinar. Burri (që do ti jepte borxhin) i thotë: Më sill dëshmitarë! Ai i thotë: Mjafton Allahu për dëshmitar. Burri i thotë: Më sill një dorëzanë! Ai i thotë: Mjafton Allahu për dorëzanë. Burri i thotë: Ke të drejtë! Dhe i jep shumën e kërkuar për deri në një afat të caktuar. Ai (mori paratë) dhe lundroi në det për (tregti) derisa kreu nevojën e tij. Më pas(kur erdhi koha e shlyerjes së borxhit) doli për të gjetur një mjet lundrimi dhe nuk gjeti. Aimori një copë dru, e gërreu nga brenda, futi në të dinarët dhe një letër për shokun e tij, e mbylli mirë atë dhe pastaj shkoi pranë detit dhe iu lut Allahut: O Allah, ti e di se unë i kam marrë borxh filanit një mijë dinarë dhe ai kur më kërkoi një dorëzanë dhe unë i thashë se mjafton Allahu për dorëzanë dhe kur më kërkoi dëshmitar i thashë se mjafton Allahu për dëshmitar dhe kështu ai pranoi që të jesh ti. Unë u mundova të gjej një mjet lundrimi për ti kthyer paratë e tij dhe nuk arrita dot dhe tani po ti lë amanet ty! Dhe e futi drurin në det derisa u mbulua nga uji pastaj u largua për të gjetur një mjet lundrimi për të shkuar në vendin atij burrit. Ndërkohë (nga ana tjetër e detit) del burri që i kishte dhënë borxhin për të parë nëse ndonjë mjet lundrimi ka mbërritur për ti sjellë paratë e tij dhe gjen këtë dru i cili kishte paratë dhe e merr për dru zjarri për shtëpinë e tij dhe kur e çau atë gjeti paratë dhe letrën. Pastaj mbërrin burri që i kishte marrë borxh dhe i sjell një mijë dinarë dhe i thotë: Pasha Allahun, jam munduar shumë për të gjetur një mjet lundrimi për të sjellë paratë tuaja dhe nuk kam gjetur mjet lundrimi para këtij që erdha me të. Burri i thotë: a mos më ke dërguar ndonjë gjë? Ai i thotë: të thashë se nuk kam gjetur mjet lundrimi para këtij që erdha me të!Ai i thotë: Allahu ta ka shlyer borxhin me ato para që ke dërguar në atë dru dhe kështu ai u largua i qetë”e transmeton Buhariu.

Dobitë e përfituara nga kjo histori:

1- Lejohet të marrësh borxh për ndonjë nevojë qoftë kjo edhe për arsye tregtie sepse burri lundroi në det për tregti por me kusht që të ruhet e drejta e tjetrit sepse borxhin nuk e fal Allahu derisa të shlyhet ose ta falë vetë njeriu.

2- Dhënia e borxhit është prej punëve të mira sepse i zgjidh një hall tjetrit dhe profeti -alejhi selam- thotë: “Kush e ndihmon vëllanë e tij, Allahu e ndihmon atë dhe kush i zgjidh një hall muslimanit, Allahu i zgjidh një hall prej halleve të ditës së kiametit” mutefekun alejhi.

3- Lejohet dhënia e borxhit pa dëshmitarë dhe dorëzanë në rast se përmendet Allahu dhe kjo është prej respektimit të emrit të Allahut siç thotë profeti -alejhi selam- edhe në një hadith tjetër: “Kush ju kërkon mbrojtje për hir të Allahut mbrojeni dhe kush ju kërkon (pasuri) për hir të Allahut jepjani” e transmeton Ebu Daudi, Nesai dhe e saktëson sheikh Albani.

4- Shlyerja e borxhit është prej amanetit (besnikërisë) sënjeriut sidomos kur jepet në mirëbesim si në këtë rast. Amaneti i borxhliut del si në rastin kur i futi paratë në dru për të ruajtur afatin dhe po ashtu edhe kur nuk u mjaftua vetëm me atë punë por shkoi për ti çuar para të tjera për të siguruar shlyerjen e borxhit. Besnik u tregua edhe burri që kishte dhënë borxhin i cili nuk e mohoi gjetjen e drurit dhe të parave të dërguara bashkë me letrën.

Në një transmetim tjetër Ebu Hurejra thotë: Sikur të na kishe parë neve duke debatuar me njëri-tjetrin pranë profetit -alejhi selam- se cili prej tyre ishte më me amanet (më besnik) se tjetri!

5- Mirësia duhet të kthehet me mirësi dhe ky moral del në pah nga vajtja e borxhliut me një shumë tjetër parash që do të thotë shpenzim i dyfishtë për të mirëpo kjo gjë i shkon përshtat mirësisë së burrit që i kishte dhënë borxhin. Profeti -alejhi selam- thotë: “Kush ju bënë një të mirë, kthejani me një të mirë dhe nëse nuk gjeni mese ta ktheni atëherë bëni dua për të derisa sa ta dini se ja kompensuat”e transmeton Ebu Daudi, Nesai dhe e saktëson sheikh Albani.

6- Kryerja e detyrave dhe punët e mira në përgjithësi e kënaqin njeriun e drejtë dhe bëjnë atë të ecë i qetë siç ndodhi me këtë burrë pasi shleu borxhin e tij ndërsa punët e këqija e shqetësojnë atë duke e brejtur nga brenda. Profeti -alejhi selam-: “Punë e keqe është ajo që të bren nga brenda dhe nuk do që ta dinë njerëzit” e transmeton Muslimi.

Përgatiti: Teuta XEKA.

You may also like...