Fillesat e shpalljes së Profetit alejhi selam

Allahu e dërgoi si profet në moshën dyzetvjeçare, e cila është mosha e përsosur. Thuhet se në këtë moshë u ka ardhur shpallja gjithë profetëve. Vërtet flitet se Profeti Isa u ngrit në qiell kur ishte tridhjetë vjeç, por për këtë s`ka ndonjë dëshmi me sened të saktë, mbi të cilin mund të bazohemi.

Forma e parë e Shpalljes hyjnore që i erdhi Profetit ishte ëndrra, pasi çdo ëndërr që shikonte, i dilte e vërtetë si agimi i mëngjesit.[1] Thuhet se kjo gjendje zgjati gjashtë muaj, ndërkohë që periudha e profetësisë zgjati njëzet e tre vjet. Kjo lloj ëndrre është një pjesë nga dyzet e gjashtë pjesët e profetësisë. Allahu e di më së miri.

Më pas Allahu e nderoi me pejgamberinë. Engjëlli i erdhi kur ai ishte në shpellën e Hirasë, pasiqë i pëlqente veçimi në të. Kësisoj, ajeti i parë që i shpalli Allahu ishte: “Lexo me emrin e Zotit tënd, i Cili krijoi gjithçka.” (Alak 1). Kështu mendon Aishja[2] dhe shumica e dijetarëve. Ndërsa Xhabiri thotë se pjesa e parë që i zbriti Pejgamberit ishte fillimi i sures Mudethir: “O ti i mbuluar me rroba!”[3]

I saktë është qëndrimi i Aishes, për disa arsye:

  1. Thënia e Pejgamberit: “S`di të lexoj” tregon qartë që ai nuk ka lexuar gjë përpara kësaj ngjarjeje.
  2. Urdhri për lexim duhet të jetë përpara urdhrit për paralajmërim, sepse vetëm pasi të mund të lexonte vetë, ai mund t’u tërhiqte vëmendjen të tjerëve. Prandaj, fillimisht Allahu e urdhëroi për lexim, pastaj për këshillim.
  3. Duke thënë se pjesa e parë që i zbriti Pejgamberit ishte fillimi i sures Mudethir, Xhabiri ka shprehur një mendim të tij, kurse Aishja e përcjell ngjarjen nga Profeti, ashtu siç e ka treguar ai vetë.
  4. Hadithi i Xhabirit që sillet si argument, nëse shqyrtohet, tregon qartë se ky engjëll i kishte ardhur më parë, përpara se t`i zbriste surja Mudethir. Sipas këtij hadithi, Pejgamberi rrëfen: “E ngrita kokën lart, kur pashë engjëllin që më kishte ardhur në shpellën Hira. U ktheva te familja ime dhe i thashë: “Më mbështillni, më mbuloni!” Atëherë Allahu i zbriti: “O ti i mbuluar…!” Në të njëjtën kohë, ne na ka njoftuar Profeti, se engjëlli që i erdhi në shpellën Hira i shpalli: “Lexo me emrin e Zotit tënd, i Cili krijoi gjithçka.”

Siç shihet, hadithi i Xhabirit tregon se shpallja e ajeteve të sures Mudethir është bërë pas shpalljes së ajeteve të sures Alak. Si argument merret hadithi i përcjellë nga Xhabiri, e jo mendimi i tij personal. Allahu e di më së miri.

[1] Buhariu, me nr. 1/21, prej Aishes, e cila rrëfen: “E para formë e Shpalljes që ka filluar me Profetin (s.a.u.s.) ishte ëndrra e saktë, saqë nuk kishte ëndërr të mos i dilte si agimi i mëngjesit…”.

[2]  Buhariu, me nr. 8/551, në komentimin e sures Alak. Muslimi, me nr.160, Tirmidhiu 3636, dhe Ahmedi në “Musned” 6/153.

[3] Buhariu, 8/550, në komentimin e sures Mudethir; Muslimi, me nr.161, dhe Ahmedi në “Musned” 3/306.

Zead el Mead

Ibn Kajim el Xheuzije

You may also like...