Çfarë sevapi te madh ka dhënia e ujit

Transmetohet nga Ebu Hurejra -radiallahu anhu- se ka thënë: “Nuk ka sadaka më të madhe në shpërblim se sa uji”[1].

Transmetohet nga Enesi -radiallahu anhu- se: “Seadi erdhi tek profeti -alejhi selam- dhe i tha: Nëna ime vdiq dhe nuk la porosi, ai i bën dobi asaj të jap sadaka për të? Ai i tha: Po, jep ujë”[2].

Transmetohet nga Sead bin Ubade -radiallahu anhu- se ka thënë: “I thashë: O i dërguar i Allahut, nëna ime vdiq, cila sadaka është më e mirë (që ta jap për të)? Ai tha: Uji.

Ai hapi një pus dhe tha: Kjo është për Umu Seadin”[3].

Transmetohet nga Ali bin hasen bin Shekik se ka thënë: “Kam dëgjuar Ibën Mubareku kur po e pyeste një burrë: O Ebu Abdurrahman, një plagë e vjetër më është hapur në gju që prej shtatë vjetësh, jam kuruar me shumë ilaçe dhe kam pyetur mjekë por nuk më kanë bërë dobi. Ai i tha: Shko e shiko ndonjë vend ku njerëzit kanë nevojë për ujë dhe hap aty një pus sepse unë shpresoj të dalë atje ujë dhe të ndalojë ty gjakun. Ai kështu bëri dhe u shërua”. E transmeton Bejhakiu.

Ka thënë gjithashtu: Me këtë domethënie është dhe një tregim i shejhut tonë Hakim Ebu Abdullah -Allahu e mëshiroftë- : Atij iu sëmur fytyra dhe e kuroi atë në mënyra të ndryshme por nuk iu largua, gjendje kjo që i zgjati gati një vit dhe më pas i kërkoi mësuesit dhe imamit Ebu Uthman Sabunit të lutet për të në mexhlisin e tij ditën e xhuma. Ai bëri lutje për të dhe njerëzit thanë amin.

Xhumanë tjetër një grua hodhi në mexhlis një copë letër ku thuhej se ajo u kthye në shtëpinë e saj dhe bëri shumë lutje atë natë për Hakim Ebu Abdullahin dhe pa në ëndërr të dërguarin e Allahut sikur po i thoshte: Thuji Ebu Abdullahit ti shpërndajë ujë myslimanëve.

Unë ia solla Hakimit letrëndhe ai urdhëroi për ndërtimin e depozite uji në derën e shtëpisë së tij dhe urdhëroi të hidhej në të ujë pastaj hodhi gur (për ta mbajtur atë të ftohtë) në të. Njerëzit filluan të pinin; atij nuk i kaloi java vetëm se u shërua, iu hoqën njollat dhe sëmundja në fytyrë dhe iu kthye fytyra më e mirë nga ç’kish qenë. Pas kësaj ai jetoi shumë vite.

Shkëputur nga “Enciklopedia e thjeshtuar e fikhut”

Autor Husejn el Auajshe

Përktheu Teuta Xeka

[1]E transmeton Bejhakiu dhe e ka konsideruar hasen shejh Albani.

[2]E transmeton Tabarani dhe e saktëson shejh Albani.

[3]E transmeton Ebu Daudi dhe Ibën Maxhe dhe e saktëson shejh Albani.

You may also like...