Çfarë duhet të bëjë ai që zgjohet natën duke folur, apo rënkuar?

Çfarë duhet të bëjë ai që zgjohet natën duke folur, apo rënkuar?

Thotë imam Buhariu në “Të saktin” e tij:

Tema: Vlera e atij që zgjohet natën duke folur, dhe pastaj falet.
Hadithi: 1127 …nga Ubadeh i cili përcjell nga Profeti – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – se ai ka thënë: “Kush zgjohet natën duke rënkuar (apo duke folur) dhe thotë: ‘La ilahe il-lall-llahu uahdehu la sherike leh, lehhul mulku ue lehul hamdu ue hue ala kul-li shejin kadir. Elhamdulilah, subhanallah, Allahu ekber, la haule ue la kuuete il-la bil-lah’

(Nuk e meriton të adhurohet askush tjetër me të drejtë veç Allahut të Vetëm pa ortak. E Tij është mbretëria/ sundimi, Atij i përket lavdërimi dhe Ai është i Mundshëm për gjithçka. Falënderimi i takon Allahut, i Patëmeta është Allahu, Allahu është më i Madhi. Nuk ka ndryshim e as fuqi veçse me ndihmën e Allahut) pastaj thotë: O Allah më fal, apo lutet, lutja e tij do të pranohet. E nëse merr abdes dhe ngrihet e falet, namazi i tij do t’i pranohet”.

Thotë ibn Haxheri: ‘Shumica e dijetarëve kanë thënë se është për qëllim zgjimi nga gjumi duke folur, ose duke rënkuar. Por përmendi vlerën (shpërblimin) e atij që flet me atë dhikr (thotë ato fjalë) që u përmendën (në hadith) prej përmendjes së Allahut të Lartësuar… dhe kjo i ndodh atij njeriu që është mësuar të bëjë shpesh dhikr, dhe i është bërë pjesë e tij, aq sa i flet me të vetes kur është zgjuar apo në gjumë, i tilli u nderua me ato gjëra që u cilësuan si: plotësimi i duasë së tij dhe pranimi i namazit të tij.’

Thotë ibn Bettali: ‘Allahu i ka premtuar me gjuhën e Profetit të Tij – sal lall llahu alejhi ue sel lem – atij që zgjohet nga gjumi dhe gjuha i rrjedh duke pohuar njësimin e Zotit të tij, pranon se mbretëria dhe sundimi janë të Allahut, i njeh mirësitë që Ai i ka dhuruar dhe e falënderon për to, e pastron Allahun nga çfarë nuk i ka hije Atij (prej të metave dhe mangësive) me tesbih, dhe i nënshtrohet Atij duke e madhëruar me tekbir, dhe i dorëzohet Atij duke shprehur pamundësinë e tij dhe zhveshjen nga fuqia veçse pas ndihmës së Tij. I ka premtuar se do t’i përgjigjet nëse lutet, e nëse falet namazi i tij do të pranohet. Prandaj, atij që i arrin ky hadith duhet që ta shfrytëzojë dhe të punojë me të, dhe ta pastrojë nijetin e tij për Allahut e Lartmadhëruar.’

Ka thënë Ed -Dauudij përmbledhtas: ‘Atij që ja pranon Allahu një të mirë nuk e ndëshkon atë, sepse Ai i di përfundimet e çështjeve, dhe nuk pranon diçka pastaj ta shkatërrojë atë. Kështu nëse sigurohet nga shkatërrimi (i punës), sigurohet prej dënimit. Për këtë arsye ka thënë Haseni: Do të dëshiroja të dija nëse Allahu më ka pranuar qoftë edhe një sexhde të vetme’

Ka thënë Abdullah el Firabrij – transmetuesi i të “Saktit” të Bukharit: ‘E kam thënë këtë dhikr një herë kur u zgjova, pastaj fjeta dhe më erdhi dikush në ëndërr e më lexoi fjalën e Allahut: “Dhe ata u udhëzuan për tek fjala e mirë”.

Përmbledhtas nga “Fet’hul barij” shpjegim i të “Saktit të Bukharit” nga Hafidh Ibn Haxher – Allahu i mëshiroftë të dy. Vëll. 3. Fq. 50.

You may also like...