3 porosi nga i Dërguari i Zotit alejhi selam

Allahu i Lartësuar i ka dhënë Pejgamberit tonë (paqja e nderimi i Allahut qoftë mbi të) shprehjet më të larta, këshilla gjithë përfshirëse, fjalët më kuptimplota e më të bukura. Ai i cili ka lidhje të ngushtë me traditën dhe udhëzimin e tij (paqja e nderimi i Allahut qoftë mbi të) është i shpëtuar në këtë botë dhe në botën tjetër.

Këtu do të ndalemi me një këshillë të shkurtër dhe madhështore prej këshillave të pejgamberit tonë fisnik (paqja dhe nderimi i Allahut qoftë mbi të). Këshillë e cila përfshinë të gjithë mirësinë në mënyrën më të plotë.

Imam Ahmedi në Musnedin e tij, Ibn Maxhe në Sunenin e tij dhe të tjerë transmetojnë nga hadithi i Ebu Ejub el-Ensari (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) se një person erdhi tek Pejgamberi (paqja dhe nderimi i Allahut qoftë mbi të) dhe i tha: Më këshillo, porse sa më shkurt. Në një transmetim tjetër thuhet: Më mëso, porse sa më shkurt. Tha (paqja dhe nderimi i Allahut qoftë mbi të): “Kur të ngrihesh me fal namaz, falu sikur të jetë namazi yt i fundit. Mos thuaj ndonjë gjë për të cilën të bën të kërkosh ndjesë prej saj nesër. Shkëpute shpresën prej asaj që njerëzit posedojnë”. [Imam Ahmedi (23498), Ibn Maxhe (4171). Shiko Silsiletu Sahiha: (401).] Ky hadith është në gradën “hasen” (i mirë) sepse posedon edhe transmetime të tjera që dëshmojnë për të.

Ky hadith madhështor ka përmbledhur tri porosi madhështore të cilat e kanë përfshirë të gjithë mirësitë. Ai i cili i kupton këto porosi dhe punon me to ai ka arritur të zotërojë të gjithë mirësitë në dynja dhe ahiret.

Porosia e parë: është porosia për përkujdesjen ndaj namazit dhe kryerjen e tij në mënyrën më të mirë.

Porosia e dytë: porosia për ruajtjen e gjuhës dhe mbrojtjen e saj.

Porosia e tretë: thirrje për tu kënaqur me atë që Allahu të ka caktuar edhe nëse është e pakët, dhe se zemra duhet të lidhet vetëm me Allahun e Vetëm.

Në porosinë e parë: Pejgamberi (paqja dhe nderimi i Allahut qoftë mbi të) bën thirrje që ai i cili ngrihet për të falur namaz, ta fali atë sikur të jetë namazi i lamtumirës. Dihet se ai i cili lë amanetet e fundit të tij, zgjedh ato fjalë dhe vepra që nuk i zgjedh kush veç tij dhe kjo dihet prej udhëtimit të njerëzve dhe zhvendosjeve të tyre. Ai i cili largohet nga një vend duke shpresuar se do të kthehet përsëri në të, nuk është njësoj me atë që largohet nga një vend duke mos pasur shpresë për tu kthyer në të. Ndaj ai i cili lë amanetet zgjedh atë çka nuk e zgjedh dikush tjetër. Kështu edhe njeriu, nëse ai e fal namazin sikur të jetë namazi i fundit i tij atëherë do të mundohet ta përkryej atë, e do ta perfeksionoi rukunë dhe sexhden dhe obligimet e namazit dhe gjërat e pëlqyera në të.

Ndaj duhet që çdo kush ta ketë para syve këtë porosi në çdo namaz që ai fal, që ta fali namazin si namazin e lamtumirës, e të ndjejë në të sikur të jetë namazi i fundit i tij dhe se ai nuk do ketë mundësi që të fal namaz tjetër pas tij. Nëse njeriu e ndjen këtë në namazin e tij atëherë kjo ndjenjë do ta bëj atë që ta perfeksionoi kryerjen e tij në mënyrën më të plotë.

Ai i cili e fal namazin e tij në mënyrën më të mirë atëherë ai namaz e shpie atë në çdo mirësi dhe e ndalon atë nga çdo e keqe dhe e poshtëruar. Zemra e tij ndërtohet me besim, e kështu ai shijon shijen e besimit dhe ëmbëlsinë e tij. E kështu namazi i bëhet atij gjëja më e dashur për të, qetësim, përkrahje dhe lumturi.

Porosia e dytë: ishte porosia për ruajtjen e gjuhës dhe se gjuha është gjëja më e rrezikshme për njeriun. Nëse fjala është akoma pa dalë nga gjuha e tij atëherë njeriu e posedon atë, e nëse ajo del nga gjuha e tij atëherë ajo e posedon njeriun dhe duhet që të mbart pasojat e saj. Ndaj pejgamberi -paqja dhe nderimi i Allahut qoftë mbi të- tha: “mos fol diçka për të cilën do kërkosh falje për të nesër”. Qe do të thotë: mundohu që ta ndalosh gjuhën tënde nga çdo fjalë e cila të bën që të kesh frikë që të nesërmen të kërkosh ndjesë për të dhe nga çdo fjalë që do të të kërkojë ty që të kërkosh ndjesë për të. Ndaj nëse ti nuk flet atëherë e zotëron atë fjalë, e nëse e thua atëherë ajo të zotëron ty me atë çka the.

Në porosinë që pejgamberi -paqja dhe nderimi i Allahut qoftë mbi të- i drejtohet Muadhit -Allahu qoftë i kënaqur prej tij- tha: “A dëshiron që të tregoj diçka që i zotëron të gjitha këto? Ai i tha: Po, o pejgamber i Allahit! Pejgamberi kapi gjuhën e tij dhe tha: “Përmbaje këtë”. Ai i tha: o pejgamber i Allahut! A me të vërtetë do të merremi në llogari për atë çka flasim? Ai i tha: Mos të pastë nëna o Muadh! Po a nuk i hedh njerëzit në zjarr me fytyrat e tyre vetëm se si pasojë e asaj çka korrin gjuhët e tyre”. [Transmeton imam Ahmedi (22016) dhe Tirmidhi (2616) dhe e ka saktësuar shejh Albani në “Xhamiu Sagir” (5136)].

Gjuha përbën një rrezikshmëri të madhe, e në hadithin e Thabitit -Allahu qoftë i kënaqur prej tij- thuhet se pejgamberi -paqja dhe nderimi i Allahut qoftë mbi të- ka thënë: “Kir gdhihet biri i Ademit të gjithë gjymtyrët e trupit i drejtohen gjuhës dhe i thonë: kije frikë Allahun sepse ne jemi në varsinë tënde; nëse ti tregohesh e qëndrueshme edhe ne jemi të qëndrueshëm, e nëse ti devijon edhe ne devijojmë”. [Transmeton imam Ahmedi (11908) dhe Tirmidhi (2407) nga hadithi i Ebu Seid el Hudri -Allahu qoftë i kënaqur prej tij- dhe e ka konsideruar hadithin “hasen” shejh Albani në “Xhami Sagir” (351)].

Fjala e pejgamberi -paqja dhe nderimi i Allahut qoftë mbi të- në këtë porosi gjithëpërfshirëse: “mos thuaj ndonjë fjalë për të cilën do kërkosh ndjesë për të nesër” ka thirrje që të marrim në llogari veten në atë çka flet njeriu. Në mënyrë që të mendojë para se të flasë, nëse e shikon që ka bodi e folura atëherë flet, e nëse e shikon se e folura përmban dëm atëherë e përmban veten e tij nga e folura. E nëse ajo që do flasë është e dyshimtë për të e nuk e di a është e keqe apo e mirë atëherë le të hesht në mënyrë që të ruhet nga të dyshimtat deri sa t’i qartësohet çështja. Ndaj dhe pejgamberi -paqja dhe nderimi i Allahut qoftë mbi të- për këtë ka thënë: “Ai i cili beson në Allahun dhe në ditën e gjykimit le të flasë të mirën ose le të heshtë”. [Transmeton Buhariu (6018) dhe Muslimi (47) nga hadithi i Ebu Hurejrës -Allahu qoftë i kënaqur prej tij-].

Shumë prej njerëzve e ngatërrojnë veten e tyre në disa ngatërresa të mëdha me një fjalë që e thonë me gjuhën e tyre duke mos i kushtuar rëndësi, porse pasojat e saj janë të mundimshme në jetën e kësaj bote dhe në botën tjetër përfundime jo të mira. I mençuri prej njerëzve është ai i cili i peshon fjalët e tij dhe e ruan gjuhën e tij dhe nuk flet vetëm se siç ka thënë pejgamberi ynë -paqja dhe nderimi i Allahut qoftë mbi të- me fjalë për të cilat nuk ka pse të kërkojë ndjesë.

Fjala e pejgamberi -paqja dhe nderimi i Allahut qoftë mbi të-: “me fjalë që e bën të kërkojë ndjesë të nesërmen” kihet për qëllim kur të dalë përpara Allahut, ose të kërkojë ndjesë nesër tek njerëzit kur të kërkojnë pasojat e fjalës tënde.

Nëse do marrim kuptimin e parë, atëherë kjo ka lodhje të fortë me namazin sepse me çfarë arsye do të kërkojë ndjesë ai i cili e ka lënë namazin e tij duke qenë se namazi do të jetë vepra e parë për të cilën do të pyetet dhe llogaritet për të.

Porosia e tretë: në të përmban thirrje për tu kënaqur me atë që të është caktuar edhe nëse është e pakët, si dhe të lidhësh zemrën me Allahun e vetëm e të shkëputësh çdo shpresë nga ajo që posedojnë njerëzit. Ai tha: “shkëput çdo shpresë nga ajo që njerëzit posedojnë” që do të thotë: të bindësh zemrën tënde dhe ta përgatitësh atë që të shkëpusë çdo shpresë nga ajo që njerëzit posedojnë. Mos shpreso nga ata, porse të jetë shpresa jote e gjitha vetëm tek Allahu i vetëm. Ashtu si ti me gjuhën tënde nuk i kërkon vetëm se Allahut dhe nuk i lutesh vetëm se Atij, ashtu duhet edhe me gjuhën e zemrës mos të shpresosh vetëm se prej Allahut, e të largosh çdo shpresë prej të tjerëve vetëm prej Tij jo. Kështu largon e shkëput çdo shpresë prej njerëzve dhe shpresa jote bëhet vetëm për Allahun e vetëm. E namazi është urë lidhëse mes teje dhe Zotit tënd. Në namaz do të gjesh ndihmën më të madhe për ty për të arritur atë çka dëshiron.

Ai i cili largon shpresat prej asaj që njerëzit posedojnë atëherë ai e jeton jetën e tij i nderuar e krenar, e ai i cili i ka zemrën të lidhur me atë çka njerëzit posedojnë, do ta jetojë jetën e tij i përçmuar e i nënshtruar. Ai i cili e ka zemrën të lidhur me Allahun duke mos shpresuar vetëm se prej tij, e nuk e kërkon atë që i nevojitet vetëm se prej Tij, e nuk mbështet vetëm se tek Allahu atëherë Allahu do t’i mjaftojë atij në jetën e kësaj bote dhe botës tjetër.

Allahu i Lartësuar thotë: “A nuk i mjafton Allahu robërit të Tij” [Zumer: 36].

Gjithashtu thotë: “Ai i cili i mbështet Allahut, Allahu do t’i mjaftojë atij”. [Talak: 3].

Suksesi është vetëm në dorën e Allahut të vetëm, pa ortak.

 

Shkroi: AbduRrazak AbdulMuhsin el Bedër

You may also like...