3 njerëzit e parë që do gjykohen në Ditën e Kiametit

Vërtet që prej qortimeve më të ashpra për kryerjen e veprave për sytë e njerëzve dhe me qëllim që ata të kthehen drejt vepruesit të tyre, është hadithi i vërtetë, të cilin e përcjellë Muslimi nga Ebu Hurejre (radijAllahu anhu) i cili thotë: “I Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) tha:

“Vërtet që njeriu i parë që do të gjykohet në ditën e Kiametit, është dëshmori. Ai sillet para Allahut dhe Ai ia përmend begatitë që ia ka dhënë dhe ky i pranon të gjitha. Allahu i thotë:

“E çfarë bërë me to?” Ai përgjigjet: “Luftova për hir Tëndin, derisa rashë martir.” Allahu i thotë: “Po rren, sepse ti luftove që të të thuhet trim, gjë që të është thënë.”

Pastaj jepet urdhri që të tërhiqet zvarrë për fytyre, derisa të hidhet në zjarr.

Pastaj (sillet për t’u gjykuar) njeriu që e ka mësuar dijen, që ua ka mësuar atë të tjerëve dhe që e ka lexuar Kuranin. Ai sillet para Allahut dhe Ai ia përmend begatitë që ia ka dhënë dhe ky i pranon të gjitha. Allahu i thotë: “E çfarë bërë me to?” Ai përgjigjet: “E kam mësuar dijen, ua kam mësuar atë të tjerëve dhe për hir Tëndin e kam lexuar Kuranin.” Allahu i thotë: “Po rren, sepse ti e mësove dijen që të të thuhet dijetar dhe e lexove Kuranin që të të thuhet lexues, gjë që të është thënë.” Pastaj jepet urdhri që të tërhiqet zvarrë për fytyre, derisa të hidhet në zjarr.

Pastaj (sillet për t’u gjykuar) njeriu që Allahu i ka dhënë risk të gjerë dhe nga të gjitha llojet e pasurisë.
Ai sillet para Allahut dhe Ai ia përmend begatitë që ia ka dhënë dhe ky i pranon të gjitha. Allahu i thotë: “E çfarë bërë me to?” Ai përgjigjet: “S’kam lënë asnjë rrugë për të cilën Ti e do dhënien e pasurisë veçse e kam dhënë në të për hir Tëndin.” Allahu i thotë: “Po rren, sepse ti bërë ashtu që të të thuhet se je bujar, gjë që të është thënë.” Pastaj jepet urdhri që të tërhiqet zvarrë për fytyre, derisa të hidhet në zjarr.”

(Muslimi, 3/1513).

You may also like...