Disa prej suneteve të përshëndetjes (selamit)

1. Është prej sunetit ngritja e zërit në dhënien dhe kthimin e selamit.
Profeti, alejhi selam, e ngrinte zërin kur jepte dhe kur kthente selamin. Ibn Kajim thotë se Profeti, alejhi selam, e ngrinte zërin kur ia kthente dikujt selamin.

2. Është prej sunetit dhënia selam të njohurve dhe të panjohurve.
Transmetohet nga Abdullah ibn Amr, se një burrë e pyeti Profetin, alejhi selam: “Cila është puna më e mirë në Islam?” Profeti, alejhi selam, tha: “Të ushqesh dhe t’i japësh selam të njohurit dhe të panjohurit.” (Buhariu, Muslimi)
Ky hadith nxit në përhapjen e selamit tek të gjithë njerëzit.

3. Është e pëlqyeshme për të ardhurin të japë selam i pari.
Ka shumë argumente për këtë sunet. Neveviu thotë: “Nëse të ardhurit i gjejnë njerëzit të ulur, atëherë duhet të japin ata selam të parët, të mëdhenj qofshin apo të vegjël, pakicë apo shumicë.”

4. Është prej sunetit që ta përshëndesë i hipuri në kafshë këmbësorin, këmbësori të ulurin, pakica shumicën, si dhe i vogli të madhin.
Transmetohet nga Ebu Hurejre se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Le ta përshëndesë i kaluari (i hipuri në kafshë, në mjet) këmbësorin, këmbësori të ulurin dhe pakica shumicën.” (Buhariu, Muslimi)
“Le ta përshëndesë i vogli të madhin, këmbësori të ulurin dhe pakica shumicën.” (Buhariu)

Dijetarët na tregojnë urtësinë pse këta persona duhet të përshëndesin të parët:
– I vogli e përshëndet i pari të madhin, sepse ai e meriton nderimin, respektimin.
– I hipuri në kafshë përshëndet këmbësorin dhe kjo e bën atë të thjeshtë dhe ia largon mendjemadhësinë.
– Këmbësori, i cili përshëndet të ulurit, i përngjan atij që hyn në shtëpi dhe përshëndet pjestarët e familjes.
– Pakica duhet ta përhëndesë shumicën, sepse shumica e ka më me hak atë.

Normat e sjelljes në Islam – Fuad ibn Abdul Aziz esh Shehlub

You may also like...