Shpërdorimi i amanetit

12 – Shpërdorimi i amanetit (besës).[1]

Nga Ebu Hurejra përcillet se i Dërguari i Allahut a.s. ka thënë: “Kur të hubasë amaneti prit Kijametin” Ebu Hurejra ka thënë: “Si humbet amaneti, o i Dëguar i Allahut?” Tha: “Kur një çështje të lihet në dorë të atij, i cili nuk është i aftë për të, prit Kijametin.”[2]

I Dërguari i Allahut a.s. gjithashtu ka treguar se si amaneti hiqet prej zemrave, duke mos lënë gjë tjetër në to përveç gjurmëve të tij.

Hudhejfe Ibn El Jamani ka thënë se i Dërguari i Allahut a.s. na tha dy fjalë, njërën prej tyre e kam parë dhe po pres të shoh edhe tjetrën. Ai na tha se amaneti zbret në thelbin e zemrës së njerëzve, pastaj mësohen prej Kur`anit dhe mësohen prej Sunetit. Ai na foli gjithashtu për fshirjen dhe zhdukjen e amanetit duke thënë: “Një njeri fle gjumë dhe zemrës së tij i rrëmbehet amaneti, aty prej tij i mbetet vetëm një shenjë si shenja që lë një pikë pa ngjyrë. Pastaj njeriu fle sërish dhe i rrëmbehet amaneti dhe prej tij në të mbetet një shenjë, si shenja që lë një kallo, si copa e prushit që rrokulliset mbi këmbën tënde që shkakton një flluskë. Ti e sheh pak si të ngritur, por në të s’ka asgjë. Njerëzit japin besën, por zor se gjen ndokënd ta mbajë amanetin, saqë thuhet: “Në fisin filan ka një njeri besnik.” Aq sa për një njeri do të thuhet: “Sa i zgjuar! Sa i mençur! Sa i fortë!” Mirëpo në zemrën e këtij njeriu nuk ka besim as një grimcë, qoftë edhe sa fara e melit. Unë kam kaluar një kohë kur nuk e kisha barrë se kujt prej jush ia jipja besën. Po të ishte musliman e kthente Islami i tij, po të ishte i krishterë ma sillte mbikqyrësi i tij, ndërsa sot besën ia jap vetëm filanit dhe filanit.”[3]

Në këtë hadith tregohet se amaneti ka për t’u larguar nga zemrat e njerëzve. Njeriu ka për t’u bërë i pabesë pasi ishte besnik më parë. Kjo i ndodh dikujt që i ka ikur frika ndaj Allahut, dikujt që e ka dobësuar besimin e tij, dikujt që duke u shoqëruar me njerëz të pabesë shdërrohet në njeri i tillë, sepse njeriu gjithmonë merr shembull prej shokut të tij. Shpërdorimi i amanetit vihet re edhe në marrjen përsipër të çështjeve të njerëzve, si udhëheqjen, mëkëmësinë, gjykimin, postet e ndryshme tek njerëz të paaftë në zgjidhjen dhe përkujdesjen për to. Një gjendje e tillë çon në humbjen e të drejtave të njerëzve, në neglizhencë të interesave të tyre dhe në përhapjen e pakënaqësive dhe të trazirave mes tyre. Nëse prijësi i njerëzve e shpërdoron amanetin, edhe njerëzit si ndjekës të prijësit të tyre kanë për ta shpërdoruar atë. Prijësat me nivel të kënaqshëm padyshim që sjellin tek masat e gjera një ngritje të kënaqshme të nivelit të tyre. Prishja e parisë padyshim që ndikon edhe në prishjen e gjendjes së popullit. Dorëzimi i një çështjeje tek një person që nuk e meriton është një tregues i qartë, që njerëzit nuk kujdesen për fenë e tyre. Ata ia dorëzojnë çështjet e tyre dikujt që nuk preokupohet për fenë e tij. Kjo ndodh atëherë kur kaplon injoranca dhe kur fundoset dija. Për këtë arsye, imam Buhariu e ka paraqitur hadithin e mësipërm të Ebu Hurejres në kreun e dijes.

Ibn Haxheri thotë: “Renditja e këtij hadithi në kreun e dijes, tregon se dorëzimmi i çështjeve tek ata që nuk e meritojnë ndodh për shkak të kaplimit të injorancës dhe fundosjes së diturisë. Kjo është edhe një prej shumë Shenjave të Kijametit.”[4]

I Dërguari i Allahut a.s. ka paralajmëruar, se kanë për të ardhur vite e mashtrimit, ku çdo gjë është mbrapshtë; përgënjeshtrohet i sinqerti dhe besohet gënjeshtari, besniku konsiderohet i pabesë dhe i pabesi konsiderohet besnik. Këto do t’i përmendim kur të flasim rreth ngritjes në pozitë të njerëzve të ultët, e cila është një prej Shenjave të Kijametit.

 

[1] Amaneti ose besa është e kundërta e pabesisë. Amaneti është përmendur në Kur`anin fisnik: “Ne ia paraqitëm amanetin qiejve, tokës dhe maleve por ata refuzuan t’a mbartin atë. Ne u treguam të mëshirshëm ndaj tyre. Atë e mbarti njeriu. Ai me të vërtetë qe i padrejtë e i paditur.” (Suretu Ahzab; 72.) Rreth domethënies së amanetit dijetarët kanë shprehur mendime të ndryshme, të cilat përmblidhen në dy pjesë:

a – Njësimi i Allahut (Teuhidi ose monoteizmi), i cili është një amanet që e ka çdo njeri të fshehur në zemrën e tij.

b – Vepra, e cila përfshin të gjithë ligjet e Allahut, sepse çdo ligj i Tij është amanet p ër njeriun.

Pra, amaneti ose besa është barra, pranimi i urdhëresave dhe largimi prej ndalesave të Allahut.

Shih: “Dispozitat e Kur`anit”, të ibn El Arabij 3/1588, shpjegimi i sahihul Muslim nga Neueuiu 2/168, Tefsiri i Ibn Kethirit 6/477 dhe “Çelja e Krijuesit” 11/333.

[2] Sahihul Buhari bashkë me “Çeljen e Krijuesit” 11/333,

[3] Sahihul Buhari bashkë me “Çeljen e Krijuesit” 11/333.

[4] “Çelja e Krijuesit” 1/143.

You may also like...