Shfaqja e pretenduesve të profecisë.

Shfaqja e pretenduesve të profecisë.

Një prej shenjave të shfaqura të Kijametit është edhe shfaqja e gënjeshtarëve që pretendojnë profecinë. Ata janë përafërsisht tridhjetë. Disa prej këtyre gënjeshtarëve janë shfaqur në kohën e Profetit a.s., në kohën e sahabeve dhe vazhdojnë të shfaqen akoma. Hadithet e transmetuara në lidhje me numrin tridhjetë nuk kanë për qëllim të përfshijnë në këtë numër të gjithë ata që pretendojnë se janë profetë, sepse njerëz të tillë ka shumë, mirëpo me numrin tridhjetë nënkuptohen ata pretendentë të cilët arrijnë pozitë, ndjekës të shumtë dhe që bëhen të njohur tek shumë njerëz.[1]

Në dy Sahihet përcillet nga Ebu Hurejra se i Dërguari i Allahut a.s. ka thënë: “Kijameti nuk do të bëhet derisa të shfaqen afro tridhjetë gënjeshtarë e mashtrues. Çdonjëri prej tyre pretendon se është i dërguar i Allahut.”[2]

Nga Theubani përcillet se i Dërguari i Allahut a.s. ka thënë: “Kijameti nuk do të bëhet, derisa disa fise prej umetit tim t’i bashkangjiten idhujtarëve dhe të adhurohen idhujt. Në umetin tim do të shfaqen tridhjetë gënjeshtarë. Të gjithë pretendojnë se janë profetë, megjithëse unë jam vula e profetëve dhe pas meje nuk ka më profet.”[3]

Hadithet në lidhje me shfaqjen e këtyre gënjeshtarëve janë të shumtë. Në disa hadithe numri tridhjetë jepet prerazi, sikurse e shohim në hadithin e Theubanit, në disa të tjerë thuhet se ata janë afro tridhjetë, sikurse përcillet në dy sahihet. Ndoshta transmetimi i Theubanit plotëson mbetjen.[4]

-Musejleme gënjeshtari është një prej të tridhjetëve që është shfaqur. Ai e shpalli veten profet në kohën e të Dërguarit të Allahut, Muhamedit a.s.. I Dërguari i Allahu a.s. i dërgoi mesazh dhe e quajti Musejleme Gënjeshtari. Ndjekësit e tij qenë të shumtë dhe dëmi i tij mbi muslimanët qe’ shumë i madh. Sahabët i dhanë fund fitnes së tij në kohën e Ebu Bekër Sidikut në betejen e njohur të Jemames.

-Në Jemen u shfaq El Esued El Anesiu, që e shpalli veten profet. Sahabet e vranë atë përpara se i Dërguari i Allahut a.s. të vdiste.

-Sexhaha e shpalli veten profete dhe u martua me Musejlemen, mirëpo kur ky i fundit u vra dhe ajo u kthye sërisht në Islam.

Si profet u hoq edhe Tulejha ibn Khuejlid El Esediu, por u pendua, u kthye në Islam dhe më pas Islami i tij u përmirësua.

-El Mukhtar ibn Ebi Ubejd Eth Thekafiu u hoq sikur e donte Ehli Bejtin (familjen e Profetit a.s.) dhe donte të mirrte hakun e Husejnit. Ai arriti të siguronte shumë ndjekës dhe arriti të marrë në dorë sundimin e Kufes në fillim të sundimit të Abdullah ibn Zubejrit. Shejtani pastaj e mashtroi dhe e shpalli veten profet, duke pretenduar se i vinte Xhibrili me shpallje [5]

Faktin se El Mukhtar qe’ një prej këtyre gënjeshtarëve e përforcon ajo që na përcjell Ebu Daudi, pasi paraqet hadithin e Ebu Hurejres, i cili gjendet në dy Sahihet, në lidhje me tridhjetë gënjeshtarët, duke përcjellë nga Ibrahim En Nkhai, se ky i fundit i kishte thënë Ubejde Es Selmanit[6]: A mendon se ky është prej tyre- d.m.th El Mukhtar? Ubejde tha: “Ai?! Ai është prej krerëve.”[7]

-Gjatë sundimit të Abdul Melik ibn Marauanit u shfaq gënjeshtari El Harith, i cili më pas u vra.

Gjatë sundimit të Abasidëve u shfaqën një grup gënjeshtarësh.[8] Në kohët e sotme, në Indi është shfaqur Mirza Ahmed El Kadjani, i cili e shpalli veten profet dhe Mesihun e pritur. Ai pretendonte se Isai a.s. nuk jeton në qiell … e shumë pretendime të rreme e boshe. Atij iu bashkangjitën ithtarë dhe ndjekës të shumtë, kështu që dijetarët iu kundërpërgjigjën dhe ua bënë të qartë njerëzve se ai është një prej gënjeshtarëve.

Këto gënjeshtarë do të ndjekin njëri-tjetrin derisa të vijë i fundit i tyre, i cili është gënjeshtari me një sy qorr. Imam Ahmedi përcjell prej Semura ibn Xhundubi se i Dërguari i Allahut a.s. gjatë hutbes së tij ditën e eklipsit diellor tha: “Pasha Allahun! Kijameti nuk ka për t’u bërë derisa të dalin tridhjetë gënjeshtarë, i fundit prej tyre është Qorri gënjeshtar.”[9]

 

Katër prej këtyre gënjeshtarëve kanë për të qenë gra. Imam Ahmedi përcjell nga Hudhejfe se Profeti i Allahut a.s. ka thënë: “Në umetin tim ka për të pasur njëzet e shtatë gënjeshtarë. Katër prej tyre kanë për të qenë gra. Unë jam vula e profetëve, pas meje nuk ka më profet.”[10]

[1] “Çelja e Krijuesit” 6/617.

[2] Sahihul Buhari, Kreu i vlerave, tema: “Shenjat e profecisë”, 6/612 bashkë me shpjegimin e Ibn Haxherit. Sahihul Muslim, Kreu i fitneve dhe i shenjave të Kijametit, 18/45 bahkë me shpjegimin e Neueuiut.

[3] Suneni i Ebu Daudit, bashkë me shpjegimin 11/324: Suneni i Tirmidhiut 6/466 bashkë me shpjegimin. Në lidhje me këtë hadith Tirmidhiu ka thënë: “Ky është hadith i saktë.” Albani ka thënë: “I saktë.” Shih: “I sakti i tubuesit të vogël” 6/174, hadithi numër; 7295.

[4] “Çelja e Krijuesit” 13/87.

[5] “Çelja e Krijuesit” 6/617.

[6] Ubejde Es Selmani El Muradi El Kufi ishte Fakih dhe Mufti. Ai e përqafoi Islamin qysh në kohën kur i Dërguari i Allahut ishte ende gjallë, por arriti të takojë vetëm Aliun dhe Ibn Mesudin. Sha`biu për të ka thënë: “Ai në lidhje me njohuritë rreth gjykatës i bashkangjitej Shurejhut.” Shih: “Pllaka të arta” 1/78.

[7] Suneni i Ebu Daudit 11/486 bashkë me shpjegimin.

[8] “Çelja e Krijuesit” 6/617.

[9] Musnedi i Ahmedit 5/396. Ky hadith është i saktë. Shih: “I sakti i tubuesit të vogël” 4/97 të shejh Albanit, hadithi numër; 4234.

[10] Musnedi i Ahmedit 5/397, El Hejthemi ka thënë: “Këtë hadith e ka transmetuar Ahmedi, Taberaniu, Bezari dhe transmetuesit në zinxhirin e këtij hadithi janë të një niveli me transmetuesit e dy Sahiheve.

You may also like...