Lajmërimi për atë që do të ndodhë deri në ditën e Kijametit

I Dërguari i Allahut alejhi selam na ka lajmëruar për atë që do të ndodhë deri në ditën e Kijametit. Allahu e ka njoftuar të Dërguarin e Tij për disa ngjarje të panjohura që do të ndodhin në të ardhmen. Hadithet në lidhje me këtë temë janë aq të shumta, saqë kanë arritur gradën e hadithit muteuatir në kuptim[1].

Nga këto na përcjell Hudhejfe që ka thënë: “Një ditë, i Dërguari i Allahut alejhi selam na mbajti një hytbe, ku nuk la gjë pa përmendur deri në Ditën e Kijametit. Atë e mbajti mend kush e mbajti dhe e harroi kush e harroi. Ndonjëherë më dukej sikur kisha harruar diçka prej asaj hytbeje, por më pas e kujtoja sikurse kujton një njeri një tjetër që ka qenë larg tij për njëfarë kohe dhe kur e sheh e njeh menjëherë.”[2]

Ai gjithashtu thotë: “I Dërguari i Allahut alejhi selam më ka njoftuar për çdo gjë që ka për të ngjarë deri Ditën e Kijametit. Për të gjitha këto e kam pyetur të Dërguarin e Allahut alejhi selam, përveç njërës që nuk arrita ta pyes. Nuk arrita ta pyes se ç`farë ka për t`i nxjerrë banorët e Medines prej saj?”[3]

Kjo gjë nuk ka qenë diçka e veçantë vetëm për Hudhejfen, sepse i Dërguari i Allahut alejhi selam ka folur në hytbe përgjatë një dite të tërë, për t’i treguar sahabeve atë që ka ndodhur dhe atë që do të ndodhë deri Ditën e Kijametit.

Përcillet nga Ebu Zejd Amru ibn Ehtab El Ensariu se ka thënë: “I Dërguari i Allahut a.s. përfundoi namazin e agimit, hipi mbi mimber dhe foli derisa hyri koha e drekës. Më pas zbriti, fali drekën, u ngjit përsëri dhe foli derisa hyri koha e ikindisë. Pastaj zbriti, fali namazin e ikindisë, u ngjit përsëri dhe foli derisa perëndoi dielli. Ai na njoftoi për atë që ka ndodhur më përpara dhe për atë që do të ndodhë dhe më i dituri prej nesh është ai i cili arriti të mbajë mend më shumë prej asaj hytbeje.”[4]

Hudhejfe ibn Jemani thotë: “Pasha Allahun! Unë jam njeriu më i ditur për çdo sprovë që ka për të ndodhur midis meje dhe Ditës së Kijametit. I Dërguari i Allahut alejhi selam nuk më ka treguar vetëm mua në fshehtësi, por këto sprova ai i ka treguar në një tubim ku isha i pranishëm edhe unë. I Dërguari i Allahut alejhi selam fliste dhe në të njëjtën kohë numëronte sprovat “Prej tyre janë tre sprova që pothuajse nuk lënë pa prekur asgjë, prej tyre ka sprova si era e verës, prej tyre ka të vogla dhe prej tyre ka të mëdha” Hudhejfja më pas thotë: “Të gjithë të pranishmit në këtë tubim u larguan dhe mbeta vetëm unë.”[5]

Këto janë argumente të sakta që vërtetojnë se i Dërguari i Allahut a.s. e ka njoftuar popullin e tij për çfarë do të ndodhë në lidhje me ta deri Ditën e Kijametit. Shenjat e Kijametit zënë një vend të madh përsa i përket volumit të njoftimeve në lidhje me çështjet e gajbit (të panjohurat) dhe për këtë arsye vëmë re se hadithet në lidhje me Shenjat e Kijametit janë të shumta. Këto hadithe, për shkak se janë transmetuar nga një numër i madh sahabesh, kanë ardhur të shprehur në versione të ndryshme.

[1] “I ploti në lidhje me njohjen e gjendjeve të Profetit”, 1/650, i Kadi Ijjad.

[2] Sahihul Buhari, Kreu i Kaderit, 11/494 bashkë me “Çeljen e Krijuesit”.

Sahihul Muslim, Kreu i sprovave dhe i shenjave të Kijametit, 18/15, bashkë me shpjegimin e Neueuiut.

[3] Sahihul Muslim, Kreu i sprovave dhe i shenjave të Kijametit, 18/16 bashkë me shpjegimin e Neueuiut.

[4] Sahihul Muslim, Kreu i sprovave dhe i shenjave të Kijametit, 18/16 bashkë me shpjegimin e Neueuiut.

[5] Sahihul Muslim, Kreu i sprovave dhe i shenjave të Kijametit, 18/16 bashkë me shpjegimin e Neueuiut.

Libri:Shenjat e kijametit

You may also like...