Kuptimi i orës (Kijametit) sipas termologjisë së Legjislacionit Islam.

Ora në termologjinë e Legjislacionit Islam nënkupton kohën në të cilën nis Kijameti. Ajo ka marrë këtë emërtim për shkak të shpejtësisë së ngjarjeve në të dhe për shkak të befasimit të njerëzve në atë orë, ku të gjitha krijesat vdesin pas një oshëtime të vetme[1]. Shenjat e Orës janë shenjat e Kijametit, të cilat i paraprijnë atij dhe tregojnë se ai është afruar. Disa janë shprehur se shenjat e Kijametit janë gjëra të vogla, të cilat i mohojnë njerëzit përpara se të ndodhë Kijameti. Disa të tjerë kanë thënë se shenjat janë shkaqe që qëndrojnë poshtë shkaqeve më të mëdha dhe më poshtë Kijametit[2].

Me përmendjen e Orës ose të Kijametit përfitojmë tre kuptime kryesore:

a- Ora e vogël (ose Kijameti i vogël).

Kjo është vdekja e njeriut. Kushdo që vdes, për të është bërë Kijameti, sepse ai tashmë ka hyrë në Botën Tjetër.

b- Ora e mesme (ose Kijameti i mesëm).

Kjo është vdekja e njerëzve të një brezi ose gjenerate. Këtë e mbështet hadithi i transmetuar prej Aishes, që ka thënë: “Kur arabët qëndronin tek i Dërguari i Allahut a.s. e pyesnin për Orën (Kijametin) se kur do të vijë? I Dërguari i Allahut a.s. hodhi vështrimin tek më i riu ndër ta dhe tha: “Nëse ky jeton dhe pleqëria nuk ka për ta zënë, atëherë ka filluar për ju ora juaj.”[3] D.m.th vdekja e tyre. Kjo vlen për ata njerëz, që kanë qenë të pranishëm në këtë bashkëbisedim[4].

c- Ora e madhe (ose Kijameti i madh).

Kjo është ngritja e njerëzve prej varreve të tyre për t’u marrë në llogari dhe më pas për t’u shpërmblyer ose ndërshkuar.

Kur Ora përmendet në Kur`an, duhet të kemi parasysh se bëhet fjalë për Kijametin e madh. Allahu xh.sh. thotë: “Të pyesin ty për Orën”[5] d.m.th., për Kijametin e madh dhe: “Ora është afruar”[6] d.m.th., se Kijameti është afruar.

Allahu xh.sh. në Kuran ka përmendur Kijametin e vogël dhe Kijametin e madh. Këta dy Kijamete Allahu xh.sh. i përmend zakonisht në një sure të vetme, sikundër i ka përmendur në suren Uakia. Në fillim të kësaj sureje është përmendur Kijameti i madh, ndërsa në fund të saj përmendet Kijameti i vogël.

Allahu xh.sh. thotë: “E kur të ngjajë ndodhia (Kijameti), realitetin e asaj ndodhie nuk ka kush që do ta përgënjeshtrojë. Ajo është që rrëzon, është që të gren (lart). (Ajo ndodh) kur toka tundet me dridhje të forta, kodrat shkapërderdhen e bëhen copë e thërmi; bëhen pluhur i shpërndarë. Dhe ju të ndaheni në tri grupe”[7] dhe: “Përse, pra, kur arrin shpirti në fyt e ju në atë moment shikoni (se ç’po i ngjet). Ne jemi më afër tij se ju, por ju nuk shihni.”[8]

Allahu xh.sh. i ka përmendur këto dy Kijamete edhe në suren Kijame, ku thotë: “Betohem në ditën e Kijametit.”[9] Këtu bëhet fjalë për Kijametin e madh. Pastaj ka përmendur vdekjen, ku thotë: “Jo dhe Jo! Po kur të arrijë (shpirti) në gropë të fytit (të gjoksit).”[10] Këtu bëhet fjalë për Kijametin e vogël.

Shembuj të tillë ka shumë në Kur`anin Fisnik dhe vendi nuk na e lejon t’i përmendim të gjithë. Gjatë këtij libri jemi duke paraqitur shenjat e Kijametit të madh, të cilat janë përmendur në Kuran dhe në Sunet.[11]

[1] “Përfundimi i Ibn Ethirit” 2/422, “Gjuha e arabëve” 8/169.

[2] “Përfundimi i Ibn Ethirit” 2/460, “Gjuha e arabëve” 7/326.

[3] Sahihul Buhari, Kreu i këshillave, tema: “Vuajtjet gjatë vdekjes” 11/361 bashkë me “Çeljen e Krijuesit”. Sahihul Muslim, Kreu i sprovave dhe i shenjave të Kijametit 18/90 bashkë me shpjegimin e Neueuiut.

[4] “Çelja e Krijuesit” 11/363.

[5] Ahzab; 63.

[6] Kamer; 1.

[7] Uakia; 1-7.

[8] Uakia; 83-85.

[9] Kijame; 1.

[10] Kijame; 26.

[11] “Fetva të tubuara të shejhul islam ibn Tejmije” 4/263.

You may also like...