займы онлайн

Dituria rreth kohës se kur do të ndodhë Kijameti.

Dituria rreth ditës dhe çastit se kur do të ndodhë Kijameti është një e panjohur, të cilën nuk e di askush përveç Allahut. Këtë e dëshmojnë ajete kur`anore dhe hadithe profetike të shumta. Diturinë rreth kohës se kur do të ndodhë Kijameti, Allahu e ka mbajtur për vete dhe nuk ia ka treguar as ndonjë meleku të afërt dhe as ndonjë profeti të dërguar midis njerëzve. Askush përveç Allahut nuk e di se kur do të ndodhë Kijameti. I Dërguari i Allahut a.s. e përmendte shpeshherë Kijametin dhe tmerret e tij. Njerëzit shpeshherë e pyesnin të Dërguarin e Allahut a.s. se kur do të ndodhë Kijameti. Ai a.s. i përgjigjej se kjo është një e fshehtë, të cilën nuk e di askush përveç Allahut. Ajetet kur`anore zbrisnin dhe bënin të qartë se dituria rreth ngjarjes së Kijametit është një e fshehtë, të cilën Allahu e ka mbajtur në veten e Tij.

Allahu xh.sh. thotë: “Ata të pyesin ty (Muhamed) rreth Orës (së Kijametit). Thuaju: “Atë e di vetëm Zoti im. Kohën kur do të ndodhë ajo do ta tregojë vetëm Ai. Do të jetë e rëndë për qiejt dhe tokën; do t’u vijë krejtësisht papritmas”. Ata të pyesin, a thua se ti di diçka për të. Thuaj: “Këtë e di vetëm Allahu, ndërsa shumica e njerëzve nuk e dinë (sepse kjo gjë është e fshehtë).”[1]

Në këtë ajet Allahu xh.sh. urdhëron profetin e tij Muhamed a.s. që t’i lajmërojë njerëzit, se dija rreth kohës se kur do të ndodhë Kijametit gjendet vetëm tek Allahu. Vetëm Allahu xh.sh. ka njohuri të plotë rreth realitetit të Kijametit dhe kohës se kur do të ndodhë ky fenomen. Askush prej banorëve të tokës e të qiellit nuk e di se kur do të ndodhë Kijameti.

Allahu xh.sh. thotë: “Njerëzit të pyesin për Orën (Kijametin). Thuaju: “Vetëm Allahu ka dijeni mbi atë.” Kush e di?! Ndoshta Kijameti mund të jetë afër?!”[2] dhe “Të pyesin ty për Orën (e Kijametit) se kur do të ndodhë. Gjë për të cilën ti nuk ke njohuri. Tek Zoti yt është fundi i (dijenisë rreth) saj.”[3]

 

Pra, fundi i dijenisë rreth kohës se kur do të ndodhë Kijameti gjendet vetëm tek Allahu. Për këtë arsye, kur Xhibrili pyet të Dërguarin e Allahut a.s. për kohën se kur do të ndodhë Kijameti, ai i përgjigjet: “I pyeturi rreth saj nuk është më i ditur se pyetësi.”[4]

Xhibrili a.s. nuk e di se kur do të bëhet Kijameti, po kështu edhe Muhamedi a.s.. As Isai a.s. nuk e di se kur do të bëhet Kijameti, edhe pse ai do të zbresë në tokë afër Kijametit dhe zbritja e tij është një prej shenjave të mëdha, sikurse do ta tregojmë më poshtë.

Imam Ahmedi, Ibn Maxheh dhe Hakimi përcjellin nga Abdullah ibn Mesudi se i Dërguari i Allahut a.s. ka thënë: “Natën e Israsë takova Ibrahimin, Musain dhe Isain. Ata po bisedonin rreth Kijametit. Këtë çështje në fillim ia drejtuan Ibrahimit, por ai tha: “Unë nuk kam dituri rreth kësaj”. Pastaj iu drejtuan Musait, por edhe ai tha:” Unë nuk kam dituri rreth kësaj.” Pastaj iu drejtuan Isait. Ai tha: “Përsa i përket ndodhisë së Kijametit, atë nuk e di askush përveç Allahut, por Zoti im më ka premtuar, se kur të dalë Dexhali unë do të kem në dorë dy shkopinj. Dexhali sapo të më shohë ka për t’u tretur, ashtu siç tretet plumbi. Allahu pas kësaj e shkatërron.”[5]

Edhe këta që janë më të mëdhenjtë e të gjithë të dërguarve të Allahu,t nuk e dinë se kur do të ndodhë Kijameti.

Imam Muslimi përcjell se Xhabir ibn Abdullahi ka thënë: “Unë kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut a.s. të thotë një muaj përpara se të vdesë: “Mua më pyesni se kur është Kijameti kur dijenia rreth tij është tek Allahu?! Unë betohem në Allahun se mbi tokë nuk do të mbesë njeri që tani merr frymë pasi t’i ketë mbushur njëqind vjet.”[6]

Ky hadith hedh poshtë mundësinë që i Dërguari i Allahut a.s. ta ketë ditur kohën kur do të bëhet Kijameti, pasiqë edhe Xhibrili pyeti për të.

Ibn Kethiri thotë: “Ky është profeti analfabet, zotëria e të gjithë të dërguarve dhe vula e tyre, paqja dhe begatitë e Allahut qofshin mbi të. Profeti i pendesës, profeti i sprovës, i mbrami, i pasmi dhe tubuesi, i cili ka thënë: “Unë jam dërguar dhe Ora e Kijametit është larg meje aq sa këta të dy (gishtërinj)”[7] duke bashkuar dy gishtërinjtë e tij; gishtin tregues dhe gishtin që vjen pas tij. Megjithatë, këtij profeti Allahu xh.sh. i ka dhënë urdhër që të shprehet se dijenia kur do të ndodhë Kijameti i përket Allahut. Ai xh.sh. thotë: “Thuaj: “Këtë e di vetëm Allahu, ndërsa shumica e njerëzve nuk e dinë.”[8][9]

Kushdo që pretendon se i Dërguari i Allahut a.s. e ka ditur se kur do të bëhet Kijameti është një i paditur, sepse të gjitha ajetet dhe hadithet e sipërpërmendura e hedhin poshtë një gjë të tillë.

Ibn Kajjimi thotë: “Disa njerëz të kohës sonë, që pretendojnë se kanë dije dhe që mburren me diçka që nuk e posedojnë janë duke përhapur gënjeshtrën më të madhe. Ata kanë thënë se i Dërguari i Allahut a.s. e ka ditur se kur do të ndodhë Kijameti. Këtyre gënjeshtarëve, kur u thuhet se në hadithin e Xhibrilit i Dërguari i Allahut a.s. ka thënë: “I pyeturi rreth saj nuk është më i ditur se pyetësi” nuk ndalen me kaq, por u ndryshojnë kuptimin këtyre fjalëve, duke thënë se kuptimi i këtyre fjalëve është ky: “Unë dhe ti e dimë se kur do të ndodhë Kijameti.”

Kjo padyshim është një injoracë e madhe dhe shtrembërim i shëmtuar i kuptimit të hadithit. I Dërguari i Allahut a.s. e njeh Allahun xh.sh. më shumë se kushdo tjetër, e si mund t’i thotë ai një arabi që vjen nga shkretëtira: “Unë dhe ti e dimë se kur do të ndodhë Kijameti”. Nëse ky injorant ngulmon dhe thotë: “I Dërguari i Allahut a.s. e dinte se ai ishte Xhibrili”, ne i përgjigjemi duke i thënë se i Dërguari i Allahut a.s., që flet të vërtetën, po në lidhje me këtë ngjarje ka thënë: “Pasha Atë në dorë të të Cilit është shpirti im! Nuk ka ardhur në ndonjë shëmbëlltyrë e të mos e kem njohur, përveç kësaj shëmbëlltyre.”[10]

Sipas një transmetimi tjetër thuhet se i Dërguari i Allahut a.s. ka thënë: “Nuk e kam ngatërruar asnjëherë tjetër, përveç kësaj here.”

Kurse sipas një transmetimi tjetër, thuhet se i Dërguari i Allahut a.s. ka thënë: “Ma ktheni përsëri arabin këtu.” Ata shkuan t’a kërkojnë, por nuk gjetën asgjë.”

Pra, i Dërguari i Allahut a.s. mësoi se ai qe Xhibrili pas një farë kohe, sikurse thotë dhe Omeri: “Unë qëndrova një farë kohe dhe i Dërguari i Allahut a.s. më pyeti: “O Omer! A e di se cili ishte pyetësi?”[11]

Megjithatë, shtrembëruesit e kuptimit të hadithit thonë: “Ai e mësoi gjatë pyetjeve se personi me të cilin po fliste ishte Xhibrili, mirëpo sahabeve këtë gjë ua tregoi më pas.!”

Pastaj, fjalët e tij a.s.: “I pyeturi rreth saj nuk është më i ditur se pyetësi” përfshijnë çdo të pyetur dhe çdo pyetës rreth kohës se kur do të bëhet Kijameti.

Gjithashtu, nuk ka kuptim t’i tregosh dikujt që pyet për shenjat e Kijametit, ndërkohë që pyetësi i di këto shenja, aq më tepër kur ai këtu po pyeste për kohën se kur do të ndodhë Kijameti dhe që sipas shtrembëruesit injorat, ky pyetës e dinte kohën se kur do të ndodhë Kijameti. Më e habitshme se kjo që thamë më sipër janë fjalët e Sujutit në librin e tij “Përfshirësi”, pasi ka dhënë përgjigje mbi një pyetje, e cila ka të bëjë me një hadith të përhapur midis njerëzve në të cilin thuhet se i Dërguari i Allahut a.s. nuk ka për të qëndruar në varrin e tij njëmijë vjet, ai ka thënë: “Unë them se ky hadith është i kotë dhe i pabazë.” Në lidhje me këtë, ai ka shkruar një libër me titull “Zbulimi i tejkalimit të jetëgjatësisë së këtij umeti të njëmijë vjetët”. Në këtë libër ai thotë:

“Së pari: Shumë transmetime tregojnë se mosha e këtij umeti i kalon të njëmijëtat, por nuk ka për t’i kaluar të njëmijë e pesëqintat, sepse sipas disa transmetimeve, mosha e jetës në këtë tokë do të jetë shtatëmijë vjet dhe se i Dërguari i Allahut a.s. është shpallur si i dërguar i Allahut rreth fundit të mijëvjeçarit të gjashtë.[12]

Duke bërë disa përllogaritje, ai del me përfundimin se mosha e këtij umeti nuk mund t’i kalojë kurrësesi të njëmijë e pesëqind vjetët. Më pas, ai ka paraqitur hadithet mbi të cilët është mbështetur në nxjerrjen e këtij përfundimi.

Njërin prej haditheve ku mbështetet Sujuti në përllogaritjet e tij e përcjell Taberaniu në librin e tij “Tubuesi i madh” nga Dahak ibn Zemel El Xhuheniu, që ka thënë: “Unë pashë një ëndërr dhe ia tregova të Dërguarit të Allahut a.s..” Dahaku ndër të tjera gjatë këtij hadithi thotë: “O i dërguar i Allahut! Unë të pashë ty mbi një mimber me shtatë shkallë dhe ti qëndroje në shkallën më të lartë. I Dërguari i Allahut a.s. mu përgjigj: “Mimberi me shtatë shkallë, bashkë me mua që qëndroja në shkallën më të lartë që ti ke parë në ëndrrën tënde, është dunjaja me jetëgjatësinë e saj shtatëmijë vjet dhe unë jam në mijëvjeçarin e fundit të saj.”[13]

Këtë hadith e ka përmendur Bejhakiu në librin e tij “Shenjat e profecisë” mirëpo Suhejli ka thënë se zinxhiri i këtij hadithi është i dobët[14] dhe është transmetuar me rrugë të sakta meukuf[15] tek Ibn Abasi. Taberiu e ka saktësuar këtë origjinë dhe e ka përforcuar me disa transmetime[16].

Sujuti më pas ka sqaruar kuptimin e fjalëve “…dhe unë jam në mijëvjeçarin e fundit të saj” duke thënë: “D.m.th., që shumica e jetëgjatësisë së umetit ka për të qenë në mijëvjeçarin e shtatë dhe kështu, ky shpjegim përputhet me ardhjen e të Dërguarit të Allahut a.s., e cila përkon me fundin e mijëvjeçarit të gjashtë, sepse nëse i Dërguari i Allahut a.s. do të kishte ardhur në fillimet e mijëvjeçarit të shtatë, atëherë Shenjat e mëdha të Kijametit si: Dexhali, zbritja e Isait, lindja e diellit nga perëndimi duhet të ishin shfaqur në më shumë se njëqind vjet më parë që prej ditëve tona, me qëllim që Kijameti të përkojë me plotësimin e shtatëmijë viteve. Megjithatë, këto ngjarje ende nuk kanë ndodhur. Kjo tregon se kanë mbetur ende treqind vite nga mijëvjeçari i shtatë.”[17]

Këto ishin fjalët e Sujutit -Allahu e mëshiroftë- në mënyrë të përmbledhur. Sujuti me këto fjalë bie ndesh me Kur`anin dhe me hadithet e sakta, ku shprehet qartë se jetëgjatësinë e kësaj bote nuk e di askush përveç Allahut. Sikur ne ta dinim jetëgjatësinë e kësaj bote, rrjedhimisht kishim për të ditur edhe kohën se kur do të ndodhë Kijameti. Megjithatë, ne sapo i përmendëm më lart ajetet kur`anore dhe hadithet profetike, që tregojnë se kohën kur do të ndodhë Kijameti nuk e di askush përveç Allahut. Gjithashtu, këtë llogaritje e refuzon edhe realiteti. Ne tani jetojmë në fillimet e shekullit të pesëmbëdhjetë sipas kalendarit hixhri dhe Dexhali akoma nuk është shfaqur, po kështu dhe Isa nuk ka zbritur ende.

Sujuti ka përmendur gjithashtu se Dexhali ka për tu shfaqur në krye të njëqinvjeçarit. Në këtë kohë zbret Isai që vret Dexhalin dhe qëndron në tokë dyzet vjet. Njerëzit qëndrojnë në tokë njëqind e njëzet vjet pasi dielli të lindë nga perëndimi. Midis dy fryrjeve të Surit (bririt) do të ketë një distancë kohore prej dyzet vitesh. Këto dyqind vite do të duhen patjetër.[18]

Sipas fjalëve të Sujutit, nëse Dexhali shfaqet tani, do të duhen akoma edhe dyqind vite dhe kështu i bie që Kijameti të ndodhë kur të plotësohen njëmijë e gjashtëqind vjet. Me kaq na bëhet i qartë fakti se çdo hadith, i cili bën fjalë rreth përcaktimit të jetëgjatësisë së kësaj bote është hadith i kotë.

Në librin e tij “Fanari ndriçues” Ibn Kajjimi ka dhënë disa rregulla të përgjithshme në bazë të të cilave mund të njohim hadithet e trilluara. Ai thotë: “Një prej rregullave kryesore në lidhje me këtë është rasti kur hadithi bie ndesh me ajetet e qarta kur`anore, siç është rasti i hadithit, i cili flet rreth moshës së kësaj bote. Ky hadith tregon se jetëgjatësia e kësaj bote është shtatëmijë vjet. Ne tani jemi në mijëvjeçarin e shtatë dhe me këtë duket qartë ky hadith i trilluar. Po të kishte qenë i saktë ky hadith, të gjithë do ta dinin se prej sot e deri në Ditën e Kijametit kanë mbetur dyqind e pesëdhjetë e një vjet.”[19]

Ibn Kajjim ka jetuar në shekullin e tetë hixhri. Ai i ka thënë këto fjalë dhe tani kanë kaluar gjashtëqind e pesëdhjetë e dy vite dhe kjo botë nuk ka mbaruar akoma.

Ibn Kethiri thotë: “Ajo çka gjendet në librat e Izraelitëve dhe të Ithtarëve të librit në lidhje me përcaktimin e moshës së kaluar të kësaj bote në disa mijëra dhe disa qindra vite, shumë nga dijetarët e Islamit e kanë konsideruar si një përcaktim të gabuar. Ata e meritojnë këtë, sepse të këtij niveli janë realisht. Në një hadith përcillet se: “Dunjaja është një xhuma[20] prej xhumave të botës tjetër.” Zinxhiri i këtij hadithi është i pasaktë. Të tillë janë të gjithë ato hadithe që bëjnë fjalë për përcaktimin e Ditës së Kijametit.”

Sikurse nuk dihet prej askujt se kur do të bëhet Kijameti, po kështu askush nuk e di se kur do të shfaqen shenjat e tij. Ato transmetime në të cilat thuhet, se në filan vit ka për të ndodhur kjo, e në filan vit do të ndodhë ajo, janë të pasakta. Regjistrimi i viteve nuk është bërë në kohën e Profetit a.s., por ka qenë një përpjekje e Omer bin Hatabit, që si fillim historik të regjistrimit të kohës dhe ngjarjeve ka vendosur emigrimin e të Dërguarit të Allahut a.s. për në Medine.

Kurtubiu thotë: “Përcaktimi i kohës ose vitit se kur do të ndodhë një ngjarje apo sprovë e paralajmëruar nga i Dërguari i Allahut a.s. duhet të bazohet në rrugë të sakta transmetimi, në mënyrë që përcaktimi i bërë të ketë arsye. I tillë është edhe përcaktimi i kohës, se kur do të ndodhë Kijameti. Askush nuk e di se çfarë viti e çfarë muaji ka për të ndodhur Kijameti. Dihet se Kijameti ka për të ndodhur ditën e Xhuma, në orën e fundit të saj, në të njëjtën orë që Allahu ka krijuar Ademin. Mirëpo, se në cilën Xhuma ka për të ndodhur Kijameti, këtë nuk e di askush përveç Allahut. Po kështu, nuk mund të përcaktohet koha e shenjave të Kijametit. Kohën e shfaqjes së tyre e di vetëm Allahu.”[21]

[1] A`raf; 187.

[2] Ahzab; 63.

[3] Naziat; 42-44.

[4] Sahihul Buhari, Kreu i Besimit, tema: “Xhibrili pyet të dërguarin e Allahut për Islamin, imanin, mir ësin ë (ihsanin) dhe dijenin ë rreth kohës se kur do të ndodhë Kijameti dhe përgjigja e tij” 1/114 bashkë me “Çeljen e Krijuesit”.

[5] Musnedi i Ahmedit 5/189, hadithi nr. 3556, me verifikim të Ahmed Shakirit, q ë thotë: “Zinxhiri i transmetimit të këtij hadithi është i saktë.” Sunen ibn Maxheh 2/1365, me verifikim të Muhamed Fuad Abdulbaki. El Busajri, q ë në librin “Ez Zauaid” ka thënë: “Ky zinxhir është i saktë dhe transmetuesit e tij janë të besueshëm.” Mustedrak El Hakim 4/488, i cili ka thënë: “Zinxhiri i këtij hadithi është i saktë dhe nuk është transmetuar prej Buhariut dhe Muslimit në dy Sahihet e tyre.” Këtë gjykim të Hakimit e ka mbështetur edhe Dhehebiu. Shejh Albani, në librin e tij “Daiful Xhamius Sagir” e ka konsideruar të dobët këtë hadith.

[6] Sahihul Muslim, Kreu i Vlerave të Sahabeve, tema: “Sqarimi i fjalës së profetit “Pas njëqind vjetësh nuk ka për të mbetur njeri i gjallë prej njerëzve që marrin frymë sot.”

[7] Sahihul Buhari, 11/347 bashkë me shpjegimin e Ibn Haxherit.

[8] A`raf; 187.

[9] “Tefsiri i Ibn Kethirit” 3/526.

[10] Musnedi i Ahmedit 1/314, hadithi nr. 374 me verifikim të Ahmed Shakirit, i cili ka thënë se zinxhiri i këtij hadithi është i saktë.

[11] Sahihul Muslim, Kreu i Imanit, Shenjat e Kijametit, 1/109 bashkë me shpjegimin e Neueuiut.

Ibn Haxher thotë: “Shtesa në fund të hadithit të transmetuar nga Nesai nëpërmjet Ebu Feruete: “Ai qe Xhibrili i paraqitur në pamjen e Dihjetu Kelbit” është një supozim i gabuar, sepse Dihjetu ishte një person i njohur midis sahabeve, kështu që Omeri nuk kishte arsye të thoshte në fillim të hadithit: “Atë nuk e njihte askush prej nesh.” Këtë hadith e ka transmetuar edhe Muhamed ibn Nasr El Merueziu në librin e tij “Imani”. Në fund të hadithit, ai ka thënë: “Ai qe Xhibrili, erdhi t’ju mësojë fenë tuaj” Me kaq mbaron. Ky është transmetimi i rregullt, sepse përputhet edhe me të gjithë transmetimet e tjera.” Shih: “Çelja e Krijuesit” 1/125.

[12] “Përfshirësi i fetvave” 2/86, i Sujutit.

[13] “Përfshirësi i fetvave” 2/88.

[14] Shejh Albani ka thënë se ky hadith është i trilluar. Shih: “I dobëti i tubuesit të vogël” 3/160, hadithi nr. 3013.

[15] Hadithi meukuf është ai hadith, të cilit nuk i arrin zinxhiri i transmetimit deri tek i Dërguari i Allahut, por ndalet ose qëndron deri tek sahabi. (shënim i përkthyesit).

[16] Shih: “Historia e popujve dhe e mbretërve”, i Ebi Xha`far Et Taberiu 1/5-10.

[17] “Përfshirësi i fetvave” 2/88.

[18] “Përfshirësi i fetvave” 2/87.

[19] “Fanari ndriçues”, fq; 80, “Fetva të tubuara të ibn Tejmijes” 4/342.

[20] Duhet të kemi parasysh se fjala Xhuma në gjuhën arabe nënkupton edhe javën. (shënim i përkthyesit).

[21] “Përkujtimi rreth gjendjes së të vdekurve dhe çështjeve të botës tjetër”, fq; 628, i Shemsudin Ebi Abdilah Muhamed ibn Ahmed El Kurtubiut.

Shkeputur nga libri “Shenjat e Kiametit”

You may also like...