Imam Malik

Imam Maliku, Allahu e mëshiroftë, është njëri prej katër dijetarëve të katër medhhebve të njohura, i quajtur edhe “Imami i Medinës”.

Malik ibën Enesi, Allahu e mëshiroftë, lindi në vitin 93 hixhri, sipas mendimit më të saktë të dijetarëve. Lindi në qytetin e bekuar të Medinës së Resulull-llahut sal-lAll-llahu alejhi ve sel-lem, po atë vit që vdiq sahabi i njohur Enes ibën Maliku, Allahu qoftë i kënaqur prej tij.

E filloi kërkimin e diturisë që në fëmijëri, madje shquhej në mesin e moshatarëve të tij. Në moshën 21-vjeçare, arriti të bëhet mësues dhe t’u përgjigjet pyetjeve që i parashtroheshin nga të tjerët. Edhe pse nga mosha ishte i ri, dituria e tij u vlerësua nga të moshuarit. Ebu Musabi, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “E kam dëgjuar Malikun duke thënë: “Nuk i jam përgjigjur asnjë pyetjeje derisa kanë dëshmuar për mua shtatëdhjetë (dijetarë se mund të përgjigjem).”[1]

Transmetuan hadithe nga ai një numër shumë i madh dijetarësh, që kur ishte në moshë të re. Nxënësit e dijes udhëtonin me muaj të tërë nga të gjitha vendet e botës islame për të përfituar nga ai qoftë vetëm edhe një hadith. Prezenca e tyre ishte edhe më e theksuar në kohën kur shtetin islam e udhëhiqte kalifi Harun Err-Rreshid, Allahu e mëshiroftë.

Ebul-Abbas Es-Serraxhi ka thënë se e ka dëgjuar Buhariun duke thënë: “Zinxhiri (i transmetuesve të hadithit) më i saktë është prej Imam Malikut nga Nafiu nga ibën Umeri.”[2]

Imam Maliku, Allahu e mëshiroftë, edhe pse në moshë të re arriti të dallohej nga të tjerët me zgjuarsinë dhe diturinë e tij. Ai ishte i matur dhe jo mendjelartë, sepse zemrën e tij e kishte kapluar urtësia, devotshmëria dhe frika ndaj Allahut të Lartësuar. Para se t’u përgjigjej pyetjeve që i parashtroheshin, mendohej një kohë të gjatë e shumë herë përgjigjej me fjalët “nuk e di”. Hejthem ibën Xhemili, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “E kam dëgjuar Malikun që është pyetur në dyzetë e tetë mesele (çështje në fe) dhe është përgjigjur ndaj tridhjetë e dy (prej tyre) me fjalët “nuk e di.”[3]

Halid ibën Hidashi, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Kam shkuar te Maliku për ta pyetur për dyzetë mesele (çështje në fe), më është përgjigjur vetëm në pesë prej tyre.”[4]

Frika për t’u përgjigjur në fenë e Allahut ishte e pranishme gjithmonë te Imam Maliku, Allahu e mëshiroftë. Para se të fliste, ai gjithmonë mendonte për shpërblimin dhe dënimin e Allahut të Lartësuar. Tregon Hejthem ibën Xhemili, Allahu e mëshiroftë, se Imam Maliku thoshte: “Kush i përgjigjet ndonjë pyetjeje, është mirë që para se të përgjigjet ta paraqesë veten e tij para xhennetit dhe xhehennemit e të mendojë se si do të jetë përfundimi i tij në botën tjetër. Më pas le të përgjigjet.” Është pyetur në një mesele dhe ka thënë: “Nuk e di.” Dikush (nga të pranishmit) tha: “Kjo është pyetje e thjeshtë (e lehtë).” Ai u zemërua dhe tha: “Në dituri nuk ka gjë të lehtë. A nuk i ke dëgjuar fjalët e Allahut: “Ne do të shpallim ty fjalë të rëndë (të madhe).”[5] Çdo gjë në dituri është e rëndë, sidomos për atë që do të pyetesh në Ditën e Kiametit.”[6]

Fjalët e dijetarëve për Imam Malikun

Është transmetuar nga Ebu Amër el-Evzaij, Allahu e mëshiroftë, se kur përmendte Imam Malikun thoshte: “Dijetar i dijetarëve, myftiu i dy Haremeve (Haremit të Mekës dhe Medinës).”[7]

Imam Ahmedi, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Ai (Imam Maliku) ka qenë imam në hadith dhe në fikh.”[8]

Imam Shafiu, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Kur përmenden dijetarët, (Imam) Maliku është si ylli (më i dituri).”[9] Gjithashtu thoshte: “Dituria gjendet në tre persona: Maliku, Lejthi dhe ibën Ujejne.”[10]

Ibën Ujejne, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “(Imam) Maliku është njëri prej argumenteve të Allahut për krijesat e tij (njerëzit).”[11]

Imam Dhehebiu, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Asnjë dijetar në Medinë, pas
gjeneratës së tabiinëve, nuk krahasohej me (Imam) Malikun në dituri, në fikh, në dinjitet (në krenari) dhe në të mbajturit mend.”[12]

Mësuesit e tij

Numri i mësuesve të tij ishte shumë i madh. Imam Dhehebiu, Allahu e mëshiroftë, në librin e tij “Sijer a’lam en-Nubela” ka përmendur mbi njëqind e njëzet mësues, prej të cilëve ka transmetuar hadithe në librin e tij të njohur “El-Muvat-ta”[13], ndërsa ne do të përmendim disa prej tyre.

1) Nafi’ Mevla Abdil-lah ibën Umer
2) Ebu Seid, Seid ibën ebi Seid el-Makburij
3) Ebul-Harith el-Medenij, Amir ibën AbdAll-llah ibën Zubejr ibën Av-vam el-kureshij el-Esedij
4) Ebu Abdirr-Rrahman el-Adevij el-Umerij, Mevlahum el-Medinij
5) Ebu Abdil-lah, Muham-med ibën el-Munkedir ibën Abdil-lah el-Kureshi et-Tejmij
6) Ebu Abdil-lah, Safvan ibën Sulejm el-Kureshij ez-Zuhrij el-Medinij
7) Humejd ibën ebi Humejd et-Tavil el-Basrij.

Nxënësit e tij

Numri i nxënësve të tij është shumë i madh. Në ligjëratat e tij ishin të pranishëm me qindra e mijëra nxënës të dijes. Imam Dhehebiu, Allahu e mëshiroftë, në librin e tij “Sijer a’lam en-Nubela” ka përmendur mbi 200 nxënës dijeje që kanë transmetuar hadithe nga ai. Ne këtu do të përmendim vetëm disa prej tyre:

1) Sufjan ibën Ujejne ibën ebi Imran, Mejmun el-Hilalij
2) Ismail ibën Xha’fer ibën ebi Kethir el-Ensarij
3) Ma’n ibën Isa ibën Jahja ibën Dinar el-Medenij
4) Ebu Seid, Jahja el-Kat-tan ibën Seid ibën Ferr-rrevh
5) Ebul-Ab-bas ed-Dimeshkij, Velid ibën Muslim
6) Abdull-llah ibën el-Mubarek ibën Vadih el-Handhalij
7) Abdan, Abdull-llah ibën Uthman ibën Xhebelete el-Ezdij.

Librat e tij

Në kohën kur jetoi Imam Maliku, Allahu e mëshiroftë, nuk ishte i njohur shkrimi i librave, ashtu siç u bë e njohur më vonë. Për këtë arsye, librat e Imam Malikut nuk ishin të shumtë. Disa nga librat e tij ishin:

1) “El-Muvat-ta” – që është libri më i njohur nga Imam Maliku, Allahu e mëshiroftë
2) “Risaletun fil-Kaderi”
3) “Risaletun fil-Akdijeti”
4) “Risaletun ila ebi Gas-san Muhammed ibën Mutarr-rrif”
5) “Xhuz-un fit-Tefsir”
6) “Risaletun ilel- Lejth fi ixhmai ehlil-Medine”.

Disa fjalë të Imam Malikut

“Kam kërkuar dituri vetëm për vete dhe jo që të tjerët të kenë nevojë për mua. Kështu ishin edhe të tjerët (dijetarët e tjerë).”[14]

“Është fesad i madh që njeriu të flasë çdo gjë që dëgjon.”[15]”

“Dituria nuk merret nga katër persona: Mendjelehti që e tregon mendjelehtësinë e tij, edhe nëse është prej transmetuesve më të mëdhenj. Bidatxhiut që thërret në atë që i thotë mendja e tij (në bidatin e tij). Ai që kur flet me njerëzit gënjen, edhe nëse nuk e akuzoj atë në hadith dhe nga njeriu i mirë, i devotshëm e me vlerë, që nuk mban mend atë që thotë (që transmeton).”[16]

“Mburoja e dijetarit është fjala ‘nuk e di’. Nëse e largon nga mendja e tij, goditet për vdekje.”[17]

“Nuk kërkohet të pendohet nga ai që e fyen Pejgamberin sal-lAll-llahu alejhi ve sel-lem, qoftë prej jobesimtarëve apo muslimanëve.”[18]

Në fund, e lusim Allahun e Lartësuan me Emrat e Tij të bukur dhe me Cilësitë e Tij të larta, që ta mëshirojë Imam Malikun me Rahmetin e Tij të pafund dhe të gjithë dijetarët e Ehli Sunnetit!

Përgatiti: Sabahudin Selimi

Literatura:
1) Sijer a’lam en-Nubela – Shemsud-din ebu Abdil-lah Muhammed ibën Ahmed edh-Dhehebi. Mues-seseturr-rrisale. Një grup verifikuesish nën mbikëqyrjen e Shuajb Arnautit.
2) Sifetul-Fetva vel-Mufti vel-Mustefti- Ahmed ibën Hamdan el-Harr-rrani. Me verifikim të Shejh Albanit. El-Mektebul-Islami-Bejrut, botimi i tretë.
3) Hytbeja e xhumasë në Xhaminë e Pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ve sel-lem, nga ligjëruesi Abdulbari Thubejt, mbajtur më 26/6/1422h.

________________________________________

[1] “Sijer a’lam en-Nubela” 8/96.
[2] “Sijer a’lam en-Nubela” 8/115.
[3] “Sijer a’lamun-Nubela” 8/78.
[4] “Sijer a’lamun-Nubela” 8/78.
[5] Surja Muz-zem-mil, ajeti 5.
[6] “Sifetul-Fetva vel-Mufti vel-Mustefti”, fq. 8.
[7] “Sijer a’lamun-Nubela” 8/95.
[8] “Sijer a’lamun-Nubela” 8/95.
[9] “Sijer a’lamun-Nubela” 8/58.
[10] “Sijer a’lamun-Nubela” 8/95.
[11] “Sijer a’lamun-Nubela” 8/95.
[12] “Sijer a’lamun-Nubela” 8/59.
[13] “Sijer a’lamun-Nubela” 8/49-51.
[14] “Sijer a’lam en-Nubela” 8/67.
[15] “Sijer a’lam en-Nubela” 8/67.
[16] “Sijer a’lam en-Nubela” 8/68.
[17] “Sijer a’lam en-Nubela” 8/78.
[18] “Sijer a’lam en-Nubela” 8/104.

You may also like...