Imam Ahmedi

Imam Ahmedi, Allahu e mëshiroftë, është njëri prej katër imamëve të katër medhhebeve të njohura të Ehli Sunnetit. Imam Ahmedi, Allahu e mëshiroftë, lindi në vitin 164h në qytetin e Bagdadit, në Irak. Që në fëmijërinë e tij u dallua dhe u shqua nga moshatarët e tij. E mësoi Kur’anin përmendësh në moshë shumë të re dhe e këndonte atë në mënyrën më të mirë të mundshme.

Imam Ahmedi, Allahu e mëshiroftë, që në moshë të re filloi të kërkonte dituri. Në fillim mori dituri nga dijetarët që ishin në vendin e tij, kurse më pas filloi të udhëtojë në kërkimin e diturisë nga dijetarët e vendeve të tjera islame, si në Mekë, Medinë, Basra, Jemen e kështu me radhë. Ai udhëtoi për në Basra më shumë se pesë herë duke kërkuar dituri nga dijetarët e hadithit, kurse drejt Hixhazit udhëtoi disa herë. Nga dijetarët më të dalluar që takoi aty ishte imam Shafiu, Allahu e mëshiroftë. Nga ai i mori bazat në fushën e hadithit, fikhut dhe shumë njohuri të tjera. Ai përfitoi shumë nga ibën Ujejne, Allahu e mëshiroftë, i cili ishte nga dijetarët më të dalluar në kohën e tij. Shkoi të kërkojë dituri edhe në Jemen, në qytetin San’a, ku dëgjoi hadithe nga dijetari i nderuar Abdurr-Rrez-zak ibën Hem-mami, Allahu e mëshiroftë.

Udhëtimet e tij në kërkimin e diturisë ishin të shumta, por edhe të mundimshme. Imam Ahmedi, Allahu e mëshiroftë, u përball me vështirësi të shumta në kërkimin e diturisë, në veçanti kur udhëtoi për në Jemen, mirëpo dashuria e tij për diturinë dhe në veçanti për kërkimin e hadithit e bëri atë të jetë gjithmonë i paluhatshëm në këtë qëllim dhe të përballojë çdo vështirësi që i paraqitej në rrugën e tij drejt diturisë. Këto vështirësi me të cilat përballej imam Ahmedi ishin si parapërgatitje për një të ardhme të afërt, kur u sprovua me një sprovë shumë të madhe. Kjo sprovë ishte dalja në shesh e mendimit të grupimit el-mu’tezile, i cili përkrahej nga kalifi i muslimanëve në atë kohë. Mendimi i tyre ishte se Kur’ani nuk është fjala e Allahut të Lartësuar, por është i krijuar. Kjo vendosmëri e paluhatshme e imam Ahmedit bëri që i gjithë ummeti i Muhamedit alejhi salatu ve sel-lam të mbështetej tek ai kur ummetin e kishte kapluar kjo fitne e madhe dhe e pabazë, e cila nuk ishte tjetër vetëm se pjellë e atyre që pasonin logjikën dhe epshet e tyre duke lanë anash Sunnetin e pastër të të Dërguarit sal-lAllahu alejhi ve sel-lem.

Kërkuesit e dijes udhëtonin me kilometra të tëra për të dëgjuar nga imam Ahmedi qoftë edhe vetëm një hadith, sepse ishte nder për ta. Nga ai transmetonin hadithe edhe dijetarët me eminentë që njihte bota islame në atë kohë, si: Veki’ ibën Xherr-rrah, imam Shafiu, Alij ibën Medini, Kutejbe ibën Seidi etj.

Fjalët e mësuesve të imam Ahmedit për të

1) Abdurrezzak ibën Hemmami, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Nuk kam parë askënd më të mençur dhe më të devotshëm se Ahmed ibën Hanbeli.”[3]

2) Muhamed ibën Alij, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “E kam dëgjuar Kutejbe ibën Seidin duke thënë: “Sikur të mos ishte Sufjan eth-Thevri, do të vdiste devotshmëria, por sikur të mos ishte Ahmed ibën Hanbeli, do të shpiknin në fe (bidatxhitë) çfarë të donin.” Në një transmetim tjetër ka thënë: “Kur të vdesë Ahmed ibën Hanbeli, do të shfaqen bidatet.”[4]

3) Kutejbe ibën Seidi, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Nëse shihni dikë që e do Ahmed ibën Hanbelin, atëherë dijeni se ai njeri është pasues i Sunnetit. ”[5]

4) Ibrahim ibën Shemmas, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “E kam pyetur Veki’ ibën Xherr-rrahun për Harixhetu ibën Mus’abin, që të na transmetojë hadithe nga ai. Ai më tha: “Unë nuk transmetoj nga ai, më ka ndaluar Ahmed ibën Hanbeli që të transmetoj nga ai.”[6]

5) Hisham ibën AbdulMelik et-Tajalisij, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Nuk ka në Basra e as në Kufe njeri që është më i dashur dhe më i respektuar prej meje sesa Ahmed ibën Hanbeli.”[7]

Fjalët e moshatarëve të tij për diturinë e imam Ahmedit

1) Imam Shafiu, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Nuk kam parë më të mençur se dy persona: Ahmed ibën Hanbeli dhe Sulejman ibën Davud el-Hashimi.”[8]

2) Alij ibën Medini, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Me të vërtetë Allahu i Lartësuar e ka ndihmuar këtë fe me dy persona, me Ebu Bekrin në “ditën e Rrides”[9] dhe me Ahmed ibën Hanbelin në “ditën e Mihnes” (sprovës)[10].”

3) Ishak ibën Rahevejhi, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Ahmed ibën Hanbeli është argument mes Allahut dhe robërve të Tij në tokë.”[11]

Mësuesit e tij

Imam Ahmedi, Allahu e mëshiroftë, që në moshë të re filloi të kërkojë dituri dhe për këtë arsye dijetarët nga të cilët mori dituri ishin të shumtë, mirëpo ne do të përmendim vetëm disa prej tyre:

1) Ab-bad ibën Ab-bad el-Muhel-lebij
2) Mu’temir ibën Sulejman et-Tejmij
3) Sufjan ibën Ujejnete el-Hilalij
4) Jahja ibën ebi Zaidete
5) Ebu Bekër ibën Aj-jash dhe shumë të tjerë, Allahu i mëshiroftë të gjithë.

Nxënësit e tij

Duke pasur parasysh diturinë e imam Ahmedit, Allahu e mëshiroftë, dhe pozitën e tij te dijetarët dhe kërkuesit e dijes, është shumë e natyrshme që ky imam të ketë qenë në vëmendjen e çdo kërkuesi të dijes dhe çdokush prej tyre imagjinonte të ishte nga nxënësit e tij. Ky ishte një nder i madh për çdo kërkues të dijes. Nga kjo kuptojmë se nxënësit që mësuan nga ai ishin të shumtë, mirëpo ne do ë ndalemi vetëm disa prej tyre:

1) Abdall-llah ibën Abdurr-Rrahman es-Semerkendij
2) Abdall-llah ibën Ahmed ibën Hanbeli (djali i imam Ahmedit)
3) Ebu Davud es-Sixhistanij (imam Ebu Davudi)
4) Muhammed ibën Ismail el-Buharij (imam Buhariu)
5) Jahja ibën Abdul-Humejd el-Himmanij, Allahu i mëshiroftë të gjithë.

Librat e tij

Muslimanët trashëguan një seri librash të shkruar nga imam Ahmedi, Allahu e mëshiroftë. Më voluminoz është “Musnedi” i tij, në të cilin përmblodhi afër tridhjetë mijë hadithe. Me këtë vepër ua lehtësoi rrugën kërkuesve të dijes për grumbullimin e haditheve. Ndër të tjera ishin edhe këta libra:

1) Fadailus-Sahabe, i botuar në dy vëllime
2) El-ilel ve ma’rifeturr-Rrixhali, i botuar
3) El-esami vel-Kuna, i botuar
4) Kitabuz-Zuhd, i botuar
5) Err-Rred-du alaz-Zenadikah vel-Xhehmij-je, i botuar disa herë
6) Kitabul-Vukuf vel-Vesaja, i botuar
7) Ahkamun-Nisa, i botuar.

Disa fjalë të imam Ahmedit, Allahu e mëshiroftë

Imam Ahmedi, Allahu e mëshiroftë, ka thënë:

1) Bazat e Sunnetit për ne janë: kapja pas asaj që kanë qenë shokët e të Dërguarit të Allahut sal-lAllahu alejhi ve sel-lem dhe pasimi i tyre dhe lënia e bidateve (risive në fe), se çdo bidat është humbje….”[12]

2) Abdallah et-Taresusi, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “E kam dëgjuar Ahmed ibën Hanbelin duke thënë: “Mos i shoqëroni pasuesit e mendjeve edhe nëse e ndihmojnë Sunnetin (e të Dërguarit sal-lAllahu alejhi ve sel-lem).”[13]

3) Fadël ibën Zijadi, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “E kam dëgjuar Ahmed ibën Hanbelin duke thënë: “Kush e refuzon hadithin e të Dërguarit sal-lAllahu alejhi ve sel-lem, ai është në buzë të shkatërrimit.[14]”[15]

4) Mejmuni, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Më tha mua Ahmed ibën Hanbeli: “Asnjëherë mos flit për ndonjë mesele (çështje në fe), përderisa nuk ke në të një imam (dijetar që të paraprin, që ka folur për këtë çështje para teje).”[16]

5) “Nuk kam shkruar asnjë hadith pa vepruar me të, derisa edhe kur kam shkruar (hadithin) se i Dërguari i Allahut sal-lAll-llahu alejhi ve sel-lem e ka bërë hixhamen[17] dhe i dha eba Tajbes një dinar, e kam bërë edhe unë hixhamen dhe i dhashë atij që ma bëri (hixhamen) një dinar.”[18]

Imam Ahmedi, Allahu e mëshiroftë, ndërroi jetë në ditën e xhuma të muajit Rrebiul-Ev-vel në vitin 241h. Në varrimin e tij morën pjesë mbi njëqind mijë xhematlinj. Vdekja e tij ishte një tronditje e madhe për ummetin e Muhamedit sal-lAllahu alejhi ve sel-lem.

Neve nuk na mbetet tjetër vetëm se t’i lutemi Allahut të Lartësuar me emrat e Tij të bukur dhe me cilësitë e Tij të larta që ta mëshirojë këtë dijetar me Mëshirën e Tij, e cila është e pafund, dhe të na bashkojë ne dhe atë në xhennetin Firdevs me Pejgamberët, të sinqertët, dëshmorët dhe të mirët.

Literatura e konsultuar:
1) Kur’ani i Madhëruar – Me përkthim të Sherif Ahmetit.
2) Sahihul-Buhari.
3) Sahihu Muslim.
4) “Menakibul-Imam Ahmed ibën Hanbel”, Ibni Xhevzij, Mues-sesetul-Hixhër, me verifikim të Abdull-llah ibën Abdul-Muhsin et-Turkij.
5) “Sijer a’lam en-Nubela”, Shemsud-din ebu Abdil-lah Muhammed ibën Ahmed edh-Dhehebi, Mues-seseturr-rrisale. Një grup verifikues me mbikëqyrje të Shuajb Arnautit.
6) “Usulus-Sun-neh”, Ahmed ibën Hanbeli, Darul-Menar.

________________________________________

[1] El-Muxhadele: 11.
[2] Transmeton Buhariu 71, Muslimi 1037.
[3] “Menakibul-Imam Ahmed”, fq. 83.
[4] “Menakibul-Imam Ahmed”, fq. 105.
[5] “Menakibul-Imam Ahmed”, fq. 103.
[6] “Menakibul-Imam Ahmed”, fq. 90.
[7] “Menakibul-Imam Ahmed”, fq. 91.
[8] “Menakibul-Imam Ahmed”, fq. 144.
[9] Kjo ishte pas vdekjes së të Dërguarit të Allahut sal-lAllahu alejhi ve sel-lem, kur disa fise arabe u kthyen në fenë e mëparshme dhe disa prej tyre nuk pranon ta jepnin zekatin.
[10] Qëllimi është fitneja e madhe në kohën e imam Ahmedit, Allahu e mëshiroftë, kur një grupim i devijuar, el-mu’tezile, thoshte se Kur’ani ishte i krijuar.
[11] “Menakibul-Imam Ahmed”, fq. 156.
[12] “Usulus-Sun-neh”, fq. 14.
[13] “Menakibul-Imam Ahmed”, fq. 210.
[14] Për fat të keq, të tillë në kohën tonë ka shumë, duke filluar nga muslimanët e thjeshtë e deri tek ata që e quajnë veten hoxhallarë. Ata kanë arritur deri në atë masë saqë nëse i kundërshton bidatet e tyre, qoftë edhe me hadithe nga “Sahihu” i Buhariut dhe Muslimit, nuk i pranojnë, por vazhdojnë me bidatet që kanë trashëguar nga të parët e tyre. Përveç kësaj, edhe shpallës si njeri që po shpikë bidate (risi në fe).
[15] “Sijer a’lam en-Nubela” 11/297.
[16] “Sijer a’lam en-Nubela” 11/296.
[17] Hixhame quhet nxjerrja e gjakut të keq nga trupi. Është pjesë e mjekësisë së të Dërguarit sal-lAllahu alejhi ve sel-lem.
[18] “Sijer a’lam en-Nubela” 11/296.

You may also like...