C’është haku i Allahut te robërit dhe haku i robërve te Allahu?


Muadh ibn Xhebeli (Zoti qoftë i kënaqur me të) tregon: “Kisha hipur pas Profetit (salallahu alejhi ue selem) në gomar e më tha: ‘O Muadh, a e di ç’është haku (e drejta, detyrimi) i Allahut te robërit dhe haku i robërve te Allahu?’ I thashë: “Allahu dhe i Dërguari i Tij e di më mirë.” Ai tha: “Haku (e drejta) i Allahut te robërit është që ta adhurojnë Atë dhe të mos i shoqërojnë asgjë, ndërsa haku (e drejta) i robërve te Allahu është që të mos e ndëshkojë atë që nuk i shoqëron asgjë Atij.” Unë i thashë: “O i Dërguari i Allahut, a t’i përgëzoj njerëzit?” Tha:“Mos i përgëzo, se mbështeten te kjo.”[1]

“…ç’është haku (e drejta,) i Allahut te robërit…” – Pra, me çfarë i ka obliguar ata dhe çfarë është detyrë që ata të veprojnë në lidhje me Të. Profeti (salallahu alejhi ue selem) ia tha Muadhit (Zoti qoftë i kënaqur me të) në formë pyetjeje, me qëllim që zemra e tij të ishte sa më e përqendruar për të kuptuar atë që do të thoshte Profeti (salallahu alejhi ue selem).

“…dhe haku i robërve te Allahu?…” – Ajo që është detyrë për Të, në sjelljen me ta. Robërit nuk e detyrojnë atë për asgjë, por është vetë Ai që e ka detyruar Veten, si mirësi mbi robërit e Tij. Allahu (subhanehu ue teala) thotë: “Zoti juaj shkroi (ngarkoi, detyroi) Mëshirën për Veten e Tij, kështu që, nëse ndonjë prej jush vepron të keqen nga padija e pastaj pendohet duke punuar drejtësi e mirësi (me nënshtrim ndaj Allahut), atëherë vërtet pra, që Ai është gjithnjë Falës i Madh, Mëshirëplotë.” (En Am, 54)

Allahu ia ka obliguar Vetes që të mëshirojë këdo që punon të keqen nga injoranca, pra me mendjelehtësi, por pastaj pendohet duke punuar vazhdimisht vepra të mira.

“…I thashë: ‘Allahu dhe i Dërguari i Tij janë më të diturit…’” – Pra, janë më të ditur se kushdo tjetër veç tyre, gjithashtu edhe më të ditur se unë.

“…ta adhurojnë…” – Pra, t’i nënshtrohen Atij me bindje.

“…dhe të mos i shoqërojnë asgjë…” – Pra, në adhurimin e Tij dhe gjithçka që është e posaçme për Të. Fjala “asgjë” përfshin gjthçka, pra, të mos shoqërohet me Të as i Dërguar, as melek, as uelij e as të tjerë.

“…ndërsa haku i robërve te Allahu është që të mos e ndëshkojë atë që nuk i shoqëron asgjë Atij…” – Kjo e drejtë është mirësia e Allahut mbi robërit e Tij. Askush nuk ia ka obliguar këtë Atij dhe mos mendo se fjala: “atë që nuk i shoqëron asgjë Atij” do të thotë se është pa adhurim, sepse ajo përcaktohet: “kush adhuron Allahun dhe nuk i shoqëron atij asgjë.” Profeti (salallahu alejhi ue selem) nuk e ka përmendur fjalën “kush adhuron Allahun”  sepse kjo nënkuptohet nga fjala e Tij (salallahu alejhi ue selem): “Haku i robërve”. Atëherë kushdo që është i përshkruar me ubudije (adhurim, robërim, bindje) patjetër duhet të jetë abid (adhurues, i nënshtruar, i bindur).

Atëherë, ai që nuk e adhuron Allahun,por nuk i shoqëron asgjë, a ndëshkohet?

Themi se ndëshkohet, sepse në shprehje ka një pjesë që nuk është përmendur, e cila nënkuptohet: Kush adhuron Allahun dhe nuk i shoqëron asgjë.

Për këtë tregojnë dy gjëra:

1-   Fjala e Tij (salallahu alejhi ue selem): “Haku (e drejta) i robërve”, sepse kushdo që përshkruhet me ubudije (robëri), patjetër duhet të jetë abid (adhurues).

2-   Kjo duhet kuptuar bashkë me fjalën e Tij (salallahu alejhi ue selem): “ta adhurojnë Atë dhe të mos i shoqërojnë asgjë”. Atëherë, kuptohet se fjala e tij (salallahu alejhi ue selem): “atë që nuk i shoqëron asgjë Atij”, do të thotë: që nuk i shoqëron asgjë në adhurimin e Tij.

“A t’i përgëzoj njerëzit?” – Pra, a të hesht e të mos i përgëzoj njerëzit? Kjo, sipas një varianti, ndërsa sipas një varianti tjetër, është ashtu siç e kemi përshtatur, pa fjalën hesht.

Përgëzim do të thotë të njoftosh dikë për diçka që e gëzon, por mund të përdoret edhe në njoftimin për diçka që i dëmton, siç është rasti në fjalën e Allahut (subhanehu ue teala): “Prandaj lajmëroi ata (në ajet është përdorur e njëjta fjalë) për dënimin e rëndë (që i pret të gjithë).” (Inshikak, 24) Megjithatë, përdorim më të gjerë ka rasti i parë.

“Mos i përgëzo se mbështeten te kjo.” – Pra, mos i lajmëro.

-         Kuptimi i hadithit është se Allahu nuk ndëshkon atë që nuk i shoqëron asgjë Atij dhe se atij i falen gjynahet me realizimin e Teuhidit. Profeti (salallahu alejhi ue selem) e ndaloi t’i lajmëronte njerëzit, që ata të mos mbështeteshin në këtë përgëzim, duke mos realizuar të kërkuarën. Realizimi i Teuhidit detyron largimin nga mëkatet, të cilat burojnë nga epshi dhe kjo është një nga llojet e shirkut: “A e ke parë atë i cili e merr epshin e tij për ilah (të adhuruar, Zot).” (Xhathijeh, 23).

-         Përshtatja e hadithit në këtë temë është bërë për shkak se ai tregon vlerën e Teuhidit dhe pengimin e ndëshkimit të Allahut.


[1] Buhariu, Muslimi.

Shkeputur nga “Libri i Teuhidit”