займы онлайн

Nata e madhe e Kadrit

Allahu i Lartësuar veçoi muajin e Ramazanit nga muajt e tjerë të vitit, me vlera të mëdha. Nga ky muaj veçoi dhjetë netët e fundit të tij, si më të mirat ndër netët e tjera dhe nga këto netë veçoi natën e Kadrit, si natën më të madhe dhe më të rëndësishme të vitit.
Kjo Natë është madhështore, sepse Allahu e cilësoi më të mirë se një mijë muaj.
E ngriti lart famën e saj, sepse në këtë Natë, Allahu zbriti Librin e Tij, Kuranin, që është udhërrëfyes për njerëzit, udhëzim për të devotshmit, dallues i së vërtetës nga e pavërteta për besimtarët, dritë dhe qartësi. Allahu në Kuran thotë:
“Ne e zbritëm Kuranin në një natë të bekuar. Vërtet, Ne gjithmonë kemi qenë paralajmërues.
Në atë (natë të zbritjes së Kuranit) vendoset çdo punë e urtë,
Me urdhrin Tonë! Ne gjithmonë kemi nisur të dërguar,
Si mëshirë prej Zotit tënd. Me të vërtetë, Ai i dëgjon të gjitha dhe i di të gjitha.
Ai është Zoti i qiejve, i Tokës dhe i gjithçkaje që gjendet midis tyre, nëse besoni me bindje.”
(Ed-Duhan: 3-7)
“Ne e kemi zbritur (Kuranin) në Natën e Kadrit.
E kush mund të ta shpjegojë ty se ç’është Nata e Kadrit?
Nata e Kadrit është më e mirë se një mijë muaj.
Engjëjt dhe Shpirti (Xhebraili), me lejen e Zotit të tyre, zbresin në këtë natë, me të gjitha vendimet.
Paqe është ajo deri në shkrepjen e agimit.”
(El-Kadr: 1-5)
Pra, me të vërtetë që kjo është një Natë madhështore, një Natë plot begati! Natë që është më e mirë se një mijë muaj së bashku! E një mijë muaj janë më shumë se 83 vjet. Pra, kjo natë është e barabartë me një jetë të gjatë, të cilën nëse muslimani do ta shpenzonte në adhurimin e Zotit të tij, përsëri nuk do të mund ta arrinte mirësinë e kësaj Nate të veçantë. Kjo Natë është një mirësi e madhe për ne nga Zoti ynë.
– Në këtë Natë zbret një numër shumë i madh engjëjsh, për shkak të mirësive dhe begative që ajo përmban. Profeti Muhamed (paqja e Zotit qoftë mbi të) ka thënë:
“Engjëjt në atë Natë janë në Tokë më shumë se numri i guralecëve.”
(Ahmedi dhe saktësoi Albani)
– Në këtë Natë zbret edhe engjëlli më i madh dhe më kryesori ndër të gjithë engjëjt e tjerë, engjëlli Xhebrail:
“Engjëjt dhe Shpirti (Xhebraili), me lejen e Zotit të tyre, zbresin në këtë natë, me të gjitha vendimet.”
(El-Kadr: 4)
– Në këtë Natë përcaktohet se çfarë do të ndodhë gjatë një viti:
“Në atë (natë të zbritjes së Kuranit) vendoset çdo punë e urtë.”
(Ed- Duhan: 4)
– Nata e Kadrit është nata e faljes dhe mëshirës. Profeti Muhamed (paqja e Zotit qoftë mbi të) ka thënë:
“Ai që falet Natën e Kadrit me besim dhe me shpresë (në shpërblimin e Allahut) do t’i falen gjynahet e mëparshme.”
(Buhariu dhe Muslimi)
– Nata e Kadrit është nata në të cilën zbriti Kurani:
“Ne e kemi zbritur (Kuranin) në Natën e Kadrit.”
(El-Kadr: 1)
– Nata e Kadrit është nata e begative dhe mirësive:
“Ne e zbritëm Kuranin në një natë të bekuar.”
(Ed-Duhan: 3)
– Nata e Kadrit është nata e lutjeve, prandaj Profeti Muahmed (paqja e Zotit qoftë mbi të) i mësoi bashkëshortes së tij, Aishes, që në këtë Natë t’i drejtohet Allahut me lutje, duke thënë:
“Të lutem o Allah! Ti je Falës, e do faljen, prandaj më fal mua!”
(Tirmidhiu dhe e saktësoi Albani)

– Nata e Kadrit është nata e shpëtimit nga dënimi në Xhehenem.
Profeti Muhamed (paqja e Zotit qoftë mbi të) ka thënë:
“Allahu në çdo kohë iftari çliron njerëz nga Zjarri, e kjo gjë ndodh çdo natë.”
(Ibn Maxhe dhe e saktësoi Albani)
Atëherë, sa i madh është çlirimi në Natën e Kadrit?!
– Nata e Kadrit është nata e begatisë dhe mirësisë, por për atë që nuk përfiton nga kjo natë, me të vërtetë që është një dështim dhe humbje e madhe. Profeti Muhamed (paqja e Zotit qoftë mbi të) ka thënë:
“Juve ju erdhi ky muaj (Ramazani), në të cilin është një natë më e mirë se një mijë muaj. Ai që pengohet (nga adhurimi) atë Natë, është penguar nga e tërë mirësia dhe nuk pengohen prej saj, veçse të ndaluarit (nga mirësia e Allahut).”
(Muslimi)

Lum për atë njeri që në këtë Natë madhështore përkujtoi Krijuesin e tij me lloje të ndryshme të adhurimit dhe mjerë për atë njeri që e humbi mirësinë e kësaj Nate, pa e përkujtuar në të Zotin e tij.

Çfarë duhet të bëjmë në Natën e Kadrit
Në këtë Natë duhet të bëjmë sa më shumë adhurime, si: falje të namazit në xhami apo shtëpi, lexim të Kuranit, dhënie lëmoshe për të varfrit, lutje, përkujtim të Allahut, pajtim me njëri-tjetrin, sjellje sa më të mirë, ndihmë ndaj nevojtarëve etj.
Allahu është Bujar dhe veprën e mirë e shpërblen me shumëfishin e saj. Shpërblimet e Tij janë të mrekullueshme dhe nevoja jonë për ta adhuruar Atë është e domosdoshme, sepse Allahu nuk ka nevojë për askënd, ndërsa ne kemi nevojë për Të.

Vizita e varreve në Natën e Kadrit
Më sipër u njohëm me vlerën e Natës së Kadrit, me madhështinë dhe mirësitë e saj, të cilat përfitohen vetëm nëpërmjet adhurimit dhe përkujtimit të Allahut, prandaj në këtë Natë, çdo besimtar e besimtare duhet të angazhohet aq sa mundet me vepra të mira. Por nuk mund të përfitohen këto mirësi duke e veçuar këtë Natë vetëm me vizitën e të afërmve të vdekur, sepse Nata e Kadrit dhe vlera e saj është për të gjallët dhe jo për të vdekurit, por mjafton që të vdekurit tanë t’i përkujtojmë në këtë Natë me lutje që Allahu t’i falë e t’i mëshirojë dhe nuk është pjesë e adhurimeve në Natën e Kadrit vizita e të vdekurve.

You may also like...