Cili është qëllimi i agjërimit dhe urtësia e tij?

xhamia

Ibnul Kajimi në lidhje me këtë ka thënë: Qëllimi i agjërimit është frenimi i vetes nga epshet dhe tekat, ndërprerja nga rutina e zakonshme me të cilën është i ambientuar, rregullimi dhe ekuilibrimi i dëshirave të brendëshme ashtu që të përgatitet për të kërkuar arritjen e synimit kulmor të lumturisë dhe kënaqësisë, përgatitet për të pranuar shkaqet e jetës së përjetshme, duke qenë uria dhe etja mjet për thyerjen e lakmisë tekanjoze dhe epshore. Agjërimi i përkujton njeriut gjendjen e të varfëre të uritur, i ngushton rrugët e shejtanit tek njeriu duke i ngushtuar rrugët e ushqimit. Në këtë mënyrë frenohet fuqia e gjymtyrëve nga çoroditja dhe shfrenimi në gjëra të cilat janë të dëmshme për njeriun në këtë dunja dhe në Ahiret, duke u kontrolluar gjymtyrët dhe forca njerëzore me frerët e agjërimit sepse realisht agjërimi për të devotshmit është në rolin e frerëve, është mburojë e luftëtarëve (që luftojnë me veten dhe shejtanin), është kopshti i begative për ata që i afrohen Allahut. Agjërimi është adhurim i veçantë që i kushtohet Zotit të botrave dhe që dallon nga veprat e tjera. Agjëruesi nuk vepron diçka të dukshme por heq dorë nga epshi, ushqimi dhe pija e tij, për hir të Atij që adhuron. Agjërimi ne vetvete është të heqësh dorë nga ato që shpirti i do dhe është i ambientuar t`i shijojë, duke i dhënë përparësi dashurisë së Allahut dhe arritjes së kënaqësisë së Tij. Agjërimi është diçka e fshehtë mes robit dhe Zotit. Megjithëse njerëzit mund të vërejnë distancimin e tij nga ushqimi, pija apo epshi , por ndjenjën e brendshme, faktin që kjo braktisje është për hir të Atij që adhuron, kjo është diçka që askush nga njerëzit nuk mund ta zbulojë dhe ky është realiteti i agjërimit. Agjërimi ka ndikim të habitshëm në ruajtjen e gjymtyrëve të jashtme dhe forcave të brendëshme, në mbrojtjen e organizmit nga dëmet që i vijnë si pasojë e përzierjes së lendëve të ndryshme të dëmshme, të cilat në një moment mund të mbizotërojnë organizmin dhe ta shkatarrojnë atë. Agjërimi mundëson zbrazjen e këtyre lëndëve si dhe lëndëve të padobishme që pengojnë një shëndet normal. Agjërimi mbron shëndetin e zemrës dhe të gjymtyrëve, u rikthen atyre atë çfarë ishte e rrëmbyer nga epshet dhe tekat, ndaj agjërimi është ndihmësi më i mirë për devotshmëri siç ka thënë i Lartësuari: “O ju të cilët keni besuar u është bërë obligim agjërimi ashtu siç ishte për ata para jush ashtu që të jeni të devotshëm” [Bekare: 185].
Profeti sal-lallahu alejhi ue selem ka thënë: “Agjërimi është mburojë”[2] dhe i orjentonte të rinjtë të cilët ndjenjë epsh dhe nuk i kanë mundësitë për tu martuar që të agjërojnë ashtu që tu shërbejë agjërimi si mburojë[3].

Për të gjitha këto qëllime dhe urtësi, të cilat janë të pranuara dhe të dëshmuara nga llogjika e shëndoshë dhe natyrshmëria e pastër, Allahu e ligjëroi agjërimin si mëshirë për robërit e Tij mirësi ndaj tyre, mburojë dhe dietë për ta[4].

Agjërimi i bëhet detyrë njeriut me fillimin e muajit hënor të Ramazanit, Allahu thotë: “Kush nga ju e përjeton këtë muaj le ta agjërojë atë” [Bekare: 185]. Profeti sal-lallahu alejhi ue selem ka thënë: “Agjëroni kur ta shihni hënën (e muajit ramazan)”[5].

Në natën e cila i paraprin fillimit të muajit njeriu e bën nijet për të agjëruar këtë muaj për Allahun, Profeti sal-lallahu alejhi ue selem ka thënë: “Veprat janë sipas qëllimit” dhe: “Nuk ka agjërim të vlefshëm për atë person që nuk e ka vendosur që natën se do agjërojë”[6]. Pra njeriu i cili në darkë e di se e nesërmja do e gjejë agjërueshëm e ka bërë nijetin, po ashtu ai i cili ngrihet në syfyr për të ngrënë, e ka bërë nijetin.

[2] Transmeton Buhariu nr. 5066.

[3] Siç transmetohet tek Buhariu me nr. 4507.

[4] Marrë nga libri Zadul Mead 2/22-23.

[5] Transmeton Buhariu nr. 1909 dhe Muslimi nr. 1081.

[6] Transmeton Ebu Daudi nr.2454, Bejhakiu nr.4/203 dhe në librin Iruaul Galil 4/25.

You may also like...