9 veprat që prishin agjërimin

Çfarë e prish agjërimin
1. Të ngrënët dhe të pirët me qëllim: Kush ha ose pi me harresë ose është i detyruar, nuk e ka prishur agjërimin dhe nuk e ka detyrë ta kompensojë. Profeti (alejhi selam)thotë: “Kush harron në agjërim dhe ha e pi, le ta vazhdojë agjërimin se atë e ka ushqyer Allahu i Lartësuar.” (Buhariu & Muslimi)

2. marrëdhëniet seksuale: Ai që kryen marrëdhënie seksuale duke e ditur se është agjërueshëm dhe duke e ditur se ato e prishin agjërimin, ai duhet të agjërojë një ditë tjetër si shlyerje pas Ramazanit, plus edhe dy muaj rresht si dënim për nënvleftësimin ndaj këtij muaji të shenjtë. Këto dy muaj duhet të agjërohen ditë pas dite, rresht, pa shkëputje. Kjo vlen vetëm për prishjen e agjërimit me marrëdhënie seksuale. Ebu Hurejra thotë: “Erdhi një burrë tek Profeti (alejhi selam)dhe i tha: “U shkatërrova, o i Dërguari Allahut!” Profeti e pyet: “Cila gjë të shkatërroi?” Ai u përgjigj: “Kreva marrëdhënie gjatë agjërimit të Ramazanit.” Profeti i tha: “A mund të lërosh një rob?” Ai i tha: “Jo.” Profeti i tha: “A mund të agjërosh dy muaj rresht?” Ai i tha: “Jo.” Profeti i tha: “A mund të ushqesh gjashtëdhjetë të varfër?” Burri i tha jo dhe u ul. Në këtë moment Profetit i sollën një shportë të madhe me hurma3. Profeti ia dha këtë enë atij burrit që i erdhi dhe i tha: “merre këtë shportë dhe shpërndajua të varfërve.” Burri ia ktheu: “A ka më të varfër se unë?! Nuk gjen ndërmjet dy skajeve të Medinës familje më nevojtare sesa e imja.” Atëherë Profeti qeshi aq sa iu dukën dhëmballët dhe tha: “Shko dhe ushqe me të familjen tënde.” (Buhariu & Muslimi)

3. Provokimi i të vjellit: Kur kjo ndodh pa qëllim, atëherë agjërimi është i saktë. Profeti (alejhi selam)ka thënë: “Kush vjell pa e provokuar, nuk e ka prishur agjërimin dhe kush e provokon atë, le të agjërojë një ditë kaza.” Ky është mendimi unanim i të gjithë dijetarëve. (Ahmedi & Ebu Davudi)

4. Dalja e gjakut te femra për arsye menstruale apo të lindjes, edhe në qoftë se kjo ndodh pak çaste para se të perëndojë dielli. Për këtë pikë dijetarët islamë janë të një mendimi.

5. Ejakulimi, nga çdo lloj epshi, qoftë edhe kur nuk kryhen marrëdhënie seksuale, si për shembull ejakulimi nga ngacmimet vetjake apo të huaja, fërkimet, puthjet etj. Nëse ejakulimi vjen si pasojë e sëmundjes, gjumit apo rrëzimit, kjo gjë nuk e prish agjërimin. Gjithashtu ai nuk prishet me shikimin e një gjëje eksituese ose me mendim, edhe në qoftë se kjo zgjat për një periudhë të gjatë kohe. Këtu futet edhe dalja e spermatoreas (lëng i tejdukshëm që del para daljes së spermës nga eksitimi) apo sekrecioni i prostatit (lëng i trashë që del me urinën).
Allahu i madhëruar në një hadith kudsij thotë: “Ai (agjëruesi) të ngrënët, të pirët dhe epshin e tij e lë për mua. Agjërimi është për mua dhe Unë shpërblej për të.” (Buhariu & Ebu Davudi)

6. marrja e ilaçeve nga goja apo e çdo gjëje tjetër, si për shembull kokrra e drithit ose orizi të pagatuara, guralecë, shkop, gjëra të dëmshme e të padëmshme, me kusht që ta kalojnë fytin dhe nëse kjo bëhet me vetëdije dhe duke e ditur se është agjërueshëm.

7. Kush e bën nijet të prishë agjërimin gjatë tij, e ka prishur atë edhe nëse nuk ka futur gjë në gojë. Kjo sepse nijeti është kusht për agjërimin

8. futja e ujit në bark gjatë abdesit pa dashje nga neglizhenca. Shumica e dijetarëve janë të mendimit se ai që merr abdest dhe e kalon ujin e tij në bark jo nga harresa, por nga pakujdesia e momentit, ai e ka prishur atë ditë dhe duhet ta zëvendësojë më vonë. Kjo bazohet në hadithin e Profetit a.s, i cili thotë: “Kur të shpëlash hundën (në abdest), çoje ujin sa më lart, përveçse kur je me agjërim.” (Ebu Davudi & Tirmidhiu) Imam Ebu Hanife, Maliku dhe Shafiu janë të mendimit se kjo e prish agjërimin, përndryshe Profeti (alejhi selam)nuk do ta ndalonte çuarjen e ujit sa më lart gjatë agjërimit.

9. Pirja e duhanit. Dijetarët bashkëkohorë të fikut, kanë rënë dakord se pirja e duhanit futet tek ato gjëra të cilat e prishin agjërimin. Në lidhje me këtë çështje, ata kanë dhënë argumente të shumta.

You may also like...