4 Hadithe te dobeta rreth muajit te Ramazanit

xhamia

Pamë të arsyeshme që t’ia bashkangjisim edhe këtë kapitull këtij libri, për vetë rëndësinë që ka, me qëllim që të paralajmërojmë njerëzit dhe të sqarojmë të vërtetën në to. S’ka dyshim se Allahu i Lartësuar ka caktuar burra, mbartës të drejtë të sunetit të të Dërguarit të Tij, të cilët mohojnë prej tij shtrembërimet e të devijuarëve, largojnë prej tij interpretimet e ekstremistëve dhe zbulojnë shpifjet e shpifësve.

Sunetit Pejgamberik, ndër shekujt e kaluar i janë përzierë shumë përzierje të ndryshme, si hadithet e dobëta, false, të shpifura, e të tilla si këto, të cilat i kanë sqaruar plotësisht imamët tanë të mëhershëm dhe dijetarët tanë të mëparshëm.

Vështruesi i sotëm në botën e shkrimtarëve e predikuesve, sheh se ata – përveç atyre që ka Mëshiruar Allahu- nuk i kushtojnë rëndësi kësaj çështje aspak, megjithë literaturën studimore të mjaftueshme, e cila shoshit të vërtetën nga e kota dhe zbulon falsen e përzierë me të vërtetën.

Nuk është qëllimi ynë që të zgjerohemi shumë në këtë çështje dhe në pasojat negative që sjellë për dijen dhe njerëzit në përgjithësi, por do të mjaftohemi me përmendjen e disa shembujve të futura këto kohët e fundit dhe që janë bërë shumë të njohura tek njerëzit, saqë ndoshta nuk lexon një artikull apo të dëgjosh një këshillë, vetëm se këto hadithe të dobëta –fatkeqësisht- zenë vendin më të madh në to.

Kështu që, në praktikim të fjalës së Muhamedit (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) : “Kumtoni nga unë, qoftë edhe një ajet – fjalë…” [Tranmeton Buhariu (6/361)]. Si dhe fjalës së tij (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!): “Feja është Këshillë…” [Transmeton Muslimi (nr, 55)].

Të mbështetur te Allahu i Lartësuar, themi: Hadithet e dobëta që janë përhapur në mesin e njerëzve, të të gjitha shresave, janë të shumta, saqë ndoshta ata nuk përmendin hadithe të vërteta me gjithë numrin e madh të tyre gjithashtu. Ata nuk ndalen asnjëherë nga përmendja e haditheve të dobëta, megjithëse siç thotë edhe imam Abdullah ibën el Mubarek: “Preokupimi me hadithet e sakta nuk lë vend për hadithet e sëmura.” Kështu që, le të jetë ky imam shembull për ne dhe dija e saktë dhe e kulluar rruga jona.

Prej haditheve të dobëta që janë të përhapura në mesin e njerëzve në muajin e Ramazanit, po përmendim:

1. “Sikur ta dinin njerëzit çfarë ka në Ramazan, do të dëshironin të jetë tërë viti Ramazan. Xhenneti zbukurohet për Ramazanin që nga fillimi deri ne fund të vitit…” Në fakt është hadith i gjatë.

Këtë hadith e transmeton Ibën Huzejme (1886), Ibën El Xhevziju në “Kitabul Mevduat” (2/188-189), Ebu Jeala në “Musnedin e tij” gjithashtu në “El Metalibul el Alijeh” (k46/a-b dorëshkrimi); nga transmetimi i Xherir ibën Ejjub el Bexheli; nga Esh Sheabi; nga Nafi ibën Burde; nga Ebi Mesud el Gifarij.

Por ky hadith është Mevdu- i shpikur. Defekti i tij qëndron te Xherir ibën Ejjub, biografinë e të cilit e ka përmendur Ibën Haxheri në “Lisanul Mizan” (2/101), ku ndër tjerash thotë: “Është i njohur për dobësi”. Pastaj përcolli fjalën e Ebi Nuajm për të: “Ai shpikte hadithe nga vetja e tij.” Dhe më pas përcolli fjalën e Buhariut për të, i cili thotë: “Ai transmeton hadithe të refuzuara”, ndërsa Nesai thotë: “Ky është i lënë”. Ibën el Xheuzi ka gjykuar për këtë hadith se ai është i shpikur, ndërs Ibën Huzejme, pas përmendjes së tij tha: Nëse do të jetë i saktë, por në zemër ka diçka në lidhje me Xherir ibën Ejjub el Bexheli.”

2. Hadithi: “O ju njerëz! Iu erdhi një muaj i madhërishëm. Një muaj në të cilin gjendet një natë më e mirë se një mij muaj. Allahu e ka bërë të detyrueshëm agjërimin e tij dhe të preferueshme ngritjen për namaz nate në të. Kush e kryen në të një punë vullnetare, kjo është sikur të ketë kryer një obligim jashtë Ramazanit… Ky është një muaj, fillimi i të cilit është mëshirë, mesi i tij është falje dhe fundi i tij është lirim nga Zjarri…”

Ky hadith është gjithashtu i gjatë, por ne u mjaftuam me fjalët më të përhapura të tij. Këtë hadith e transmeton gjithashtu Ibën Huzejme (1887), el Muhamili në “el Emali” (nr; 293) dhe El Esbahani në “Et Tergib” (k/178,b/ dorëshkrimi); nga transmetimi i Ali ibën Zejd ibën Xhedean; nga Seid ibën el Musejjib; nga Selmani.

Ky zinxhir transmetimi është i dobët nga dobësia e Ali ibën Zejd. Ibën Sead ka thënë për të: “Në të ka dobësi dhe me të nuk argumentohet”. Ahmed Ibën Hambeli thotë: “Nuk është i fortë”. Ibën Main thotë: “I Dobët”. Ibën Ebi Hajtheme thotë: “I dobët në çdo gjë”. Ibën Huzejme thotë: “Unë nuk argumentohem me të për shkak të dobësisë në memorien e tij.”

Kështu thuhet në “Tehdhib Et Tehdhib” (7/322-323).Ndërsa Ibën Huzjeme, pas transmetimit të tij, thotë: “Nëse[1] vërtetohet lajmi”. Ndërsa Ibën Haxheri në “El Etraf” thotë: “Ky hadith sillet rreth Ali ibën Zejd ibën Xhedean, por ai është i dobët.”. Kështu ka transmetuar Es Sujuti nga ai, në “Xhemul xhevami” (nr. 23714). Ibën Ebi Hatim ka përcjellë nga babai i tij, në “Ilelu el Hadith” (1/246) fjalën e tij: “Ky hadith është Munker- i refuzuar.”

3. Hadithi: “Agjëroni, se do të keni shëndet!”
Kjo është një pjesë nga hadithi të cilin e transmeton Ibën Adij në “El Kamil” (7/2521); nga transmetimi i Nehshel ibën Seid; nga ed Dahak; nga Ibën Abasi. Por Nehsheli është i lënë pasi që mashtronte, ndërsa ed-Dahak nuk ka dëgjuar asgjë nga ibën Abasi.

Atë e ka transmetuar Tabarani në “El Evsat” (1/k, 69/a –Mexhma el Bahrejn), Ebu Nuajm në “Et Tib En Nebevi”, siç thuihet “Tahrixh el Ihja” (3/87), Ibën Buhejt në “Xhuzin” e tij, siç thuhet në “Sherhu el Ihja” (7/401); nga transmetimi i Muhamed ibën Sulejman ibën Ebi Davud; nga Zuhejr ibën Muhamed; nga Suhejl ibën Ebi Salih; nga Ebi Hurejra.

Zinxhiri i tij është i dobët. Ebu Bekër el Ethrem thotë: “Kam dëgjuar Ahmedin – dhe përmendi transmetimin e banorëve të Shamit nga Zuhejr ibën Muhamed – pastaj tha: Këta transmetojnë hadithe të paqena (të refuzuara) nga ai (Zuhejri).” Ndërsa Ebu Hatim thotë: “Në memorien e tij ka pas problem dhe transmetimi i tij kur ka qenë në Sham, ka qenë më i keq se kur ka qenë në Irak.” El Axheli thotë: “Këto hadithe që transmetojnë banorët e Shamit nga ai, nuk më pëlqejnë”. Kështu thuhet në “Tehdhib el Kemal” (9/417).

Them: Muhamed ibën Sulejman është nga Shami dhe biografia e tij gjendet në “Tarih Dimashk” (15/k 386-dorëshkrim), kështu që transmetimet e tij nga Zuhejri –siç thonë dijetarët- janë të refuzuara. Edhe ky hadith është një prej tyre.
Dhe së fundi:

4. Hadithi: “Kush e prish një ditë nga Ramazani, pa ndonjë arsye apo sëmundje, nuk do të mund ta kompensojë edhe sikur të agjëronte tërë jetën.”

Këtë hadith e ka përmend Buhariu në shënimet që ka bërë në “Sahihin e tij” (4/160 Fet’hul Bari), pa zixhir transmetuesish. Ndërsa Ibën Huzejme e ka transmetuar të lidhur në “Sahihun e tij” (1987), po kështu edhe Tirmidhiu (723), Ebu Davudi (2397), Ibën Maxhe (1672), Nesai në “el Kubra” -siç thuhet në “Tuhfetul Eshraf” (10/373)-, el Bejhaki (4/228) dhe Ibën Haxheri në “Teglik et Talik” (3/170); nga transmetimi i Ebi El Matus; nga baba i tij; nga Ebi Hurejra. Ibën Haxheri në “Fet’hul Bari” (4/161) thotë: “Por në këtë hadith është bërë polemikë e madhe në lidhje me Habib ibën Ebi Thabit dhe hadithi ka tre defekte: Përzierja dhe kundërthënia në të, mosnjohja e personalitetit të Ebu el Matus dhe dyshimi se a ka ndëgjuar babai i tij nga Ebu Hurejra apo jo?” Ndërsa Ibën Huzejme, pas transmetimit të tij, thotë: “Nëse mund të vërtetohet ky lajm, pasi që unë nuk e njoh Ibën El Matus e as babanë e tij.”
Kështu që, hadithi është i dobët.

Si përfundim, këto katër hadithe, dijetarët i kanë konsideruar të dobëta dhe të shpikura, e megjithatë ne i dëgjojmë dhe i lexojmë çdo ditë nga ditët e Ramazanit të Begatë, veçanërisht dhe në ditët e tjera përgjithësisht. Nuk largohet nga mendja se disa nga këto hadithe përmbajnë kuptim të saktë, të miratuar në sheriatin tonë të pastër, në Kuran apo në sunet, por vetëm kjo nuk na bën të lejuar që t’i mveshin të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) atë që nuk është nga ai, e veçanërisht –dhe el hamdu lilah- që ky Ummet është i dalluar mes umeteve tjera me Isnad-zinxhirin e transmetuesve, me të cilin njihet e pranuara nga e futura, e vërteta nga e shpikura. Kjo shkencë, shkenca e hadithit dhe senedit, është shumë e përpiktë, dhe të vërtetën ka thënë ai që ka e quajtur atë: “Logjika e lajmeve që transmetohen dhe peshorja e dallimit të gradës së tyre”

Shkëputur nga libri: “Agjërimi i Muhamedit në Ramazan” f.: 117-122
Të autorëve Alij ibn Hasen el-Halebij & Selim ibn Id el-Hilalij

[1] Në disa referenca, si në “et Tergib uet Terhib” (2/95), lidhësa “nëse” ka rënë, gjë e cila ka prishur kuptimin dhe është bërë shkak për vetmashtrimin e disa personave të cilët hiqen se kanë dije!

You may also like...